Si përfitoi 6 mijë euro gjyqtarja/ Të arrestuarin e liroi me arsyetimin e masave mbrojtëse nga Covid-i

11/09/2020 15:28

Që prej muajit mars kur u shpall pandemia e Covid-19, 900 shtetas të arrestuar për vepra të lehta shkuan në shtëpi në vazhdën e masave për të parandaluar përhapjen e virusit brenda burgjeve.

Edhe për Adi Mullalli dhe Oltion Balin, emri i të cilit doli në skenë gjatë një afere korruptive, Covid-i u përdor si argument për zbutjen e masës.

Në vendimin e zbardhur që Top Channel disponon me anëtare edhe gjyqtaren Mimoza Margjeka, Gjykata e Apelit Korçë pohon se Bali dhe Mullalli, ky i fundit mësues fiskulture nuk janë persona të rrezikshëm. Por më tej, gjykata këmbëngul se po i bindet gjithashtu një udhëzimi të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj dërguar në KLGJ, ku sugjerohet tolerancë ndaj të dyshuarve që arrestohen në kohë Covid-i .

Por teksa si kryesues i kësaj trupe rezulton gjyqtari Olsi Xhavella, avokati i gjyqtares nën hetim këmbëngul se edhe ky gjyqtar përmendet në përgjime për ryshfet. Masa ndaj Margjekës, bashkëshortit të saj dhe tre të arrestuarve të tjerë mes tyre edhe një avokat është njoftuar se do të mbahet të shtunën.

Top Channel