Mos kthimi fëmijëve nga Siria, Shqipëria qëndrim si BE/ Eksperti i Sigurisë: Pse është i vështirë riatdhesimi i tyre

11/09/2020 19:47

Familjet e grave dhe fëmijëve të mbetur në kampin Al Hol të Sirisë të hënën ora 17:00 do të protestojnë përpara kryeministrisë për ti kërkuar qeverisë shtimin e përpjekje në riatdhesimin e tyre.

Adrian Shtuni analist në Washington për çështjet e sigurisë thotë për Top Channel, se kushtet në atë kamp janë tejet të vështira ku ka mungesë uji dhe ushqimesh, plus temperaturat e larta mbi 40 u kanë marrë jetën 700 personave.

Muhamed Veliu-Nga informacionet që ju keni si është situate aktualisht në kampin Al Hol në Siri, ku ka një numër të konsiderueshëm fëmijë dhe gra nga Shqipëria?

Adrian Shtuni– Situata ka qenë dhe vazhdon të jetë e vështirë , me mungesë të theksuar të ndihmave humanitare . Ka patur temperature mjaft të larta, ka pasur mungesa ushqimore, të ujit të pijshëm dhe kryesisht të mungesës së higjenës. Këto të gjitha vinë për shkak të mbi-popullimit që është problematik. Kemi në fakt dy kampe kryesore. Nuk është vetëm Al Hol por edhe kampi Za’atari ku janë 65.000 veta prej të cilëve 2/3 janë fëmijë. Ka patur raportime kohët e fundit edhe për Covid19 gjatë muajin gusht. Tre punonjës humanitarë ishin pozitiv dhe u krijua një situatë problematike. Nuk dihet nëse është shpërndarë dhe nuk kam informacione të mëtejshme nëse infeksioni është shpërndarë. Nga informacionet që më kanë thënë kolegët e OKB-s, janë diku në 700 veta që kanë vdekur prej kohës ku janë sistemuar në Al Hol nga keq ushqimi, turbekulozi, aksidente të ndryshme si zjarret që kanë rënë dhe therjet me thika pasi ka elementë mjaft ekstremiste edhe brenda në kampet. Pjesa më e madhe e këtyre të vdekurve kanë qenë fëmijë.

Muhamed Veliu-Sipas jush, për qeverinë shqiptare cilat janë vështirësitë në riatdhesimin e fëmive dhe grave shqiptarë të mbetur atje?

Adrian Shtuni-Mënyrën se si e shikoj unë janë dy vështirësi apo justifikime të dy natyrave. E para është teknike dhe tjetra politike. Pra në aspektin teknik ka vështirësi nuk diskutohet. Në aspektin diplomatic, sikurse për të lëvizur nga atje nuk është e thjeshtë pasi nuk ka autoritete zyrtare që të komunikohet. Këto janë vështirësi që janë bërë publike jo vetëm nga shteti shqiptarë por edhe nga shtetet e tjera. Ka patur edhe vështirësi të tjera teknike si tërmeti , kovidi e probleme kështu me radhë.Po flasim për gjysmën shqiptare që janë 50 e diçka në kampe jo ata që janë në burgje . Pra kemi të bëjmë me gjysmën e atyre që Kosova ka riatdhesuar një vit më parë. Nuk po flasim për një numër jashtëzakonisht të madh apo kapacitet të jashtëzakonshëm që duhet, pasi edhe Bosnja i ka riatdhesuar të paktën 26 shetas. Pra arsyet kryesore si e shoh unë janë politike për mos ti riatdhesuar njëherë përnjëherë . Është një zgjidhje kjo e harmonizuar me qasjen e vendeve të BE-s, ndaj të shkuarve në Siri por ndihma nuk është se i ka munguar dhe këtë duhet ta them. Gjenerali marinës amerikane Keneth Mckenzi komandi komandës qendrore që mbikqyr Lindjen e Mesme e ka theksuar që ushtria amerikane është e gatshme që të bëjë riatdhesimin e fëmije dhe grave të secilit vendi nëse duan ti marrin mbrapsh. Pra është e rëndësishme të kuptohet që ndihmë ka, është e mundur se edhe të tjerët e kanë bërë por për mendimin tim është vendim politik për shkak të dinamikave të brendshme edhe harmonizimit të qasjes me vendet e BE-s.

Muhamed Veliu-Prej shumë vitesh ju keni studiuar nga afër rrolin e ISIS. Doja tju pyes në mënyrë specifike çfarë rroli kanë patur gratë në filozofinë e ISIS?

Adrian Shtuni-Një pyetje jashtëzakonisht e mirë që bëhet radhë por duhet bërë më shpesh. Gratë kanë pasur rrole taktike edhe strategjike. Shteti Islamik e ka parë gruan dhe familjen si element strategjik dhe komponent për filozofinë e shpërndarjes së ideologjisë së vet. Pra i ka parë gratë e fëmijë si spiranca që e ankorojnë luftëtarin dhe e bëjnë akoma më të dedikuar jo vetëm për bindjet ideologjike që mund të ketë apo përbetimin ideologjik edhe për arsye familjare të lidhjes me familjen. Është shumë më kollaj që një luftëtar shkon e lufton zhgënjehet dhe kthehet. Por është shumë më e komplikuar kur një luftëtar atje martohet dhe krijon familje është shumë e komplikuar që të kthehen të gjithë jo vetëm për fakt të numrave. Pra ishte një strategji një filozofi që u aktivizua nga shteti islam që nuk ka përfunduar. Duhet të kuptohet rroli i tyre strategjik i cili nuk ka përfunduar me rënien e Banguzit që ishte qendra e fundit që mbajti Shtetin Islamik. Nëse do tu lejohet organizatave terroriste që të përdorin qytetarët si instrumente për shpërndarjen e ideologjive të tyre, jam duke folur për qytetarët që tani ndodhen në kampet që I përmendëm më përpara, gratë dhe fëmijët, kemi për të pasur probleme në vazhdimësi. Prandaj duhet shumë më tepër vëmendje dhe kujdes ndaj grave dhe fëmijëve dhe shteti nuk duhet të abdikojë përgjegjësinë që ka në këtë aspekt pasi çdo neglizhim sjell pasoja me vështirësira afat gjata.

Top Channel