Gjimnazet po bëhen gati/ Veliaj takon drejtorët e shkollave për përgatitjet e fundit

11/09/2020 15:42

Ashtu si shkollat 9-vjeçare, edhe gjimnazet e Tiranës janë gati të presin nxënësit në 14 shtator, pasi janë dezinfektuar dhe pajisur me mjetet e higjienës për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në takimin e zhvilluar me drejtuesit e shkollave të mesme në kryeqytet, i përgëzoi ata për punën përgatitore, që çdo shkollë të garantojë zbatimin rigoroz të protokolleve shëndetësore. Ai tha se tashmë lipset që kriza që kaloi vendi ynë vitin e shkuar, qoftë me tërmetet, ashtu edhe me pandeminë, të kthehet në një mundësi për të ardhmen e të rinjve.

“Lipset që secili prej jush të jetë edhe psikolog sepse kemi në dorë një gjeneratë të tërë. Ndaj, ju lus ta mbani një sy hapur për çdo rast, që të marrim vendime sipas protokollit. Ne nuk i biem pas histerisë, por si drejtues të shkollave marrim vendime sipas protokolleve. Aspak panik, vetëm kujdes. Ta menaxhojmë me sa më pak trauma këtë gjeneratë, e cila po kalon një vit e ekspozuar ndaj lajmeve të rreme, duke qëndruar në shtëpi, pa u socializuar e duke luajtur me videolojëra”.

Duke u ndalur në shkollat e reja që po ndërtohen në Tiranë, kryebashkiaku tha se është hapur gara për gjimnazin “Sami Frashëri”. Ai tha se me të njëjtat ritme po punohet edhe në shkollat e reja të mesme, që po rindërtohen në Tiranë, ndërsa propozoi që të shfrytëzohen për mësim edhe mjediset e hapura, duke përmendur amfiteatrin e kryeqytetit.

Top Channel