Veliaj dhuron plazmën e gjakut për të ndihmuar të prekurit nga Covid-19/ Manastirliu: Një dhurim më shumë, një jetë më shumë

10/09/2020 14:35

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, dhuroi sot pranë Bankës së Gjakut në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” plazmën e gjakut për të ndihmuar në shërimin e atyre që janë të prekur prej Covid-19.

I shoqëruar dhe nga Shefja e shërbimit Infektiv prof. Najada Çomo dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj iu përgjigj apelit të mjekëve përmes shembullit personal.

“Për 6 mijë të tjerët që e kanë kaluar si puna ime, në fakt nuk është bukur që të kemi vetëm 50 dhurime, kështu që lipset që këta 6 mijë që e kaluan e që kanë anti-trupa, nëse kanë kaluar 2-3 javë dhe kanë filluar anti-trupat ju lutem dhuroni, dhuroni, dhuroni. Është një mjet shtesë, jo i vetmi mjet por është një tjetër në këtë luftë, është një tjetër armë me të cilën mund të luftojnë Najada dhe i gjithë stafi i saj. Ndaj dua t’i ftoj të gjithë qytetarët që e kanë kaluar të dhurojnë”, theksoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë vlerësoi sakrificën e bluzave të bardha në ketë betejë si dhe gatishmërinë e të gjithë sistemit publik. “Unë jam një avokat i madh i shëndetit publik dhe i shërbimeve publike që ofrohen në vendin tonë. Djali im lindi në një spital publik vetë, pasi u referova nga mjeku i familjes në momentin që kisha më shumë vështirësi u ndoqa nga sistemi publik. Unë besoj fort, që nëse ne që drejtojmë nuk besojmë tek publikja atëherë sigurisht dikush tjetër humbet gjithashtu besimin. Edhe mbi të gjitha keni dhënë besim që publikja mund të funksionojë, realisht ne mund të kemi shkolla publike më të mira, çerdhe publike më të mira, kopshte publike më të mira, spitale publike ndonjëherë edhe më të mira se spitalet jashtë apo le të themi private”, deklaroi ai.

“Mezi pres fillimin e shkollës, qeveria gjithmonë ka pluse dhe minuse që merr në konsideratë kur merr një vendim. Patjetër që ne do të përballemi me një rritje nga gjithë ky fluks i fëmijëve që ndoshta vetë e kalojnë vetë siç kishim ne rast në familje por bëhen mbartës, por ama rrezikun që ne të rrisim një brez i cili rri tërë kohën në mënyrë asociale ngjitur pas kompjuterit, ngjitur pas telefonit dhe nuk di të ndërveprojë, është një rrezik akoma më i madh i shoqërisë tonë. Ajo që ne kemi zbuluar është që injoranca dhe padija bëjnë shumë e më shumë dëm se virusi i radhës”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Veliaj apeloi për një kujdes të shtuar në lidhje me respektimin e masave për të fituar betejën ndaj COVID-19. “Nuk ka trimëri të rrahësh gjoksin dhe të thuash nuk të kap Covid-i. Për të gjithë ata që infektohen edhe unë njoh qindra prej tyre që vuajnë nga stigma dhe nuk pranojnë a thua se kanë bërë një mëkat, mëkat është të vjedhësh, të vrasësh, të shash jo të sëmuresh. Kështu që për sa kohë që ky nuk është një mëkat, ky nuk është një gabim e ky nuk është një faj, më mirë pranojeni, ndoshta jo të gjithë mund ta bëjnë me postime, por më mirë duke e pranuar tek familjarët e tyre, tek rrethi i tyre, tek fisi i tyre dhe të vetëizolohen i bëjnë një shërbim”, tha ai.

Me afrimin e stinës së virozave, në Tiranë do të nisë edhe një fushatë në të gjitha njësitë administrative për vaksinimin e qytetarëve nga gripi stinor. “Ramë dakord me Ogertën që ne do të fillojmë një fushatë në të gjitha njësitë administrative. Kush është vulnerabël, kush është i moshuar duke u siguruar të paktën nga gripi stinor për të cilin ne kemi vaksinë efektive, le të themi ulim gjysmën mos më shumë të barrës që do të duhej të përballeshin institucionet tona. Është kjo shumica e heshtur që duhet t’ju japi zemër krahasuar me një minorancë që ndonjëherë me lajme të rreme për një klikim më shumë apo më pak shpërndan panik. Edhe unë besoj që sot nëse ka një ekip kombëtar, është ekipi kombëtar i bluzave të bardha”, theksoi kryebashkiaku Veliaj.

Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu u shpreh se plazma është një tjetër armë në funksion të atyre përpjekjeve që ekipi ynë i shëndetësisë po bën për të mundur Covid-19 dhe për të pasur sa më shumë të shëruar. “Një dhurim më shumë është një jetë më shumë që përmirësohet dhe shpëtohet. Dua të bëj një apel për të gjithë ata të cilët e kanë kaluar Covid-19 të mos hezitojnë të vijnë në qendrat tona të dhurimit të gjakut. Gjaku ashtu sikurse plazma nuk mund të blihet, vetëm mund të dhurohet dhe ne e kemi treguar që solidariteti nuk na mungon në situata të vështira. Asnjë moment dhe asnjë minutë nuk duhet humbur për të trajtuar simptomat e Covid-19. Mjeku i familjes është për të gjithë ju dhe spitalet gjithashtu janë në gatishmëri”, u shpreh Manastirliu teksa dha lajmin e mirë të rritjes së kapaciteteve të spitaleve si me pajisje ashtu edhe me staf mjekësor.

Shefja e shërbimit Infektiv prof. Najada Çomo vlerësoi kryebashkiakun Veliaj për ndihmën në këtë luftë përmes shembullit të tij personal dhe shpjegoi se plazma është një armë shtesë në ndihmë të të prekurve. “Plazma hiperimune është një mjekim alternativ që i ofrohet grupit të madh të terapisë që e përdorim në, qoftë tek “Shërbimi Infktiv” qoftë tek “Shefqet Ndroqi” dhe u bë aplikimi në kohën e duhur kur u maturuan kushtet nga ana shkencore dhe u plotësuan aparaturat dhe është dhe grupi i personave donatorë të mundshëm që janë në vazhdim dhe ne po vazhdojmë procesin duke marrë dhe plazmën e kryetarit të bashkisë”, u shpreh doktoreshë Çomo.

Top Channel