Sonte në Open në Top Channel po diskutohet për çështjen e detit. Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i ftuar në emision tha se Greqia nuk është dhe asnjëherë nuk ka qenë agresive në politikën e jashtme me Shqipërinë.

Ai tha se sa herë bëhet fjalë për marrëveshje mes këtyre dy vendeve fqinje, ka nga ata shqiptarë që sulmojnë dhe hedhin baltë, me pa të drejtë.

Në emisionin Open, Dule u shpreh se po bëhet një ngatërresë, mes asaj që quhet shtrirje territoriale e ujrave deri në 12 milje dhe zonave ekskluzive ekonomike.

“Nuk e di pse duam që gjithmonë të japim një imazh negativ në sytë e botës. Sa herë ka një marrëveshje me Greqinë, hidhen përpjetë, hidhen akuza, baltë. Pse? Nuk ka njerëz të mirë e punëtorë në këtë vend? Vetëm njerëz që bëjnë marrëveshje të fshehta dhe shesin e blejnë? Këtu është një strumbullar. Duhet të jemi të përgjegjshëm. Greqia po të ishte e ashpër me ne në 2009 do e ratifikonte menjëherë në parlament atë marrëveshje, por nuk e bëri, pasi respekton fqinjësinë, respekton partneritetin.

Kryeministri grek foli për ujëra territoriale, ne flasim për zonat ekskluzive ekonomike. Nuk janë e njejta gjë. Dua të bëj dhe një vërejtje linguistike. Greqia nuk tha do shtrijmë ujërat tona në 12 milje. Deri në 12 milje po, sepse është terminologjia e vetë konventës. Sepse ka kushte gjeografike që nuk e lejojnë të shtrihet 12 milje. Si do shtrihet 12 milje në Ksamil?

Aty nuk ka mundësi të shtrihet, ka ndarje deti në mënyrë të barabartë, që quhet vijë e mesme. Kemi dhe mbylljen e gjireve. Dua ta sqaroj, shtrirja e ujërave territoriale deri në 12 milje nuk kërkon marrëveshje, janë zonat ekskluzive territoriale ekonomike ato që kërkojnë marrëveshje”, tha Dule.

Top Channel