Kryesimi i OSBE-së, Cakaj në Forumin Ekonomik dhe të Mjedisit: Promovimi i sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik nëpërmjet luftës kundër korrupsionit prioritet themelor i Kryesisë sonë

10/09/2020 10:32

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, mori pjesë në Takimin vjetor të Forumit Ekonomik dhe Mjedisor, që po zhvillohet në Pragë.

Në fokus të këtij takimi ishte rëndësia e përdorimit të teknologjive të reja dhe platformave digjitale në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Promovimi i sigurisë, stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik nëpërmjet luftës kundër korrupsionit është një prej prioriteteve themelore të Kryesisë Shqiptare të OSBE-së.”- u shpreh Cakaj në një postim në Facebook lidhur me pjesëmarrjen në këtë forum.

Gjithashtu, Kryediplomati Cakaj bëri me dije se mënyrat e ruajtjes së privatësisë dhe sigurisë kibernetike, lufta kundër mashtrimeve në sistemet financiare, shfrytëzimi i teknologjisë në shërbim të llogaridhënies publike e transparencës institucionale janë prej çështjeve kryesore në shtjellim e sipër prej ekspertëve të fushave dhe përfaqësuesve të lartë të vendeve pjesëmarrëse.

“Shqipëria si Kryesi e radhës e OSBE-së ndërkaq, është duke kryer detyrën e saj për nxitjen e bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse në funksion të përdorimit efiçient të teknologjisë kundër korrupsionit.” – përfundoi Cakaj.

Top Channel