“Ka ende kriminelë në politikë”! 93% e qytetarëve kërkojnë mos-kandidim përjetë të inkriminuarve

10/09/2020 15:16

Pesë vite pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit, një anketim tregon se 52% e të pyeturve mendojnë se të inkriminuarit nuk janë shkurajuar nga të qenit pjesë e politikës për mos të kaluar traun hyrës të kuvendit.

Të anketuarit e Institutit të Studimeve Politike ngarkojnë me përgjegjësi direkte kryetarët e partive për futjen në politikë  ose emërimin në poste publike të individëve të inkriminuar.

Në një kohë kur shqiptarët do të shkojnë drejt kutive të votimit më 25 Prill,  në përgjigjet e qytetarëve të anketuar, 37% e tyre mendojnë se legjislacioni dhe procesi i deritanishëm i  dekriminalizimit nuk e ka parandaluar ende financimin elektoral, nga individët e inkriminuar dhe të “fortët”.

“Ndonëse shifrat duken pozitive të gjithë mendojnë se rezultati ka qenë minimal dhe shanset e Shqipërisë për të pasur realisht një elitë politike të pa korruptuar dhe pa rekorde kriminale nuk është përmbushur. Partitë Politike nuk kanë përjashtuar ose pezulluar asnjë individ dhe strukturat që ata kanë ngritur etike kanë qenë jo funksionale kanë qenë formale”, thotë Afrim Krasniqi për Top Channel.

Por cila do ishte zgjidhja përfundimtare e largimit të inkriminuarve nga politika?

“Partitë politike nëse iu rezulton se kanë një individ deputet të inkriminuar të mos kenë të drejtë ta zëvendësojnë atë por të humbin mandatin të marrin penalizim siç marrin me legjislacionin aktual me çështjen e kuotave gjinore le të marrin edhe për individë të inkriminuar”, deklaroi Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve Politike.

Nga viti 2015 deri në shtator 2020, bilanci i dekriminalizimit është ky: 9 deputetë humbën mandatet , 3 kryetar bashkish, 183 këshilltarë bashkiak u shkarkuan apo u larguan me dëshirë përfshi 165 zyrtarë lokal. Ndërsa 195 punonjës të administratës publike humbën vendet e punës. Por e gjitha kjo në optikën e të anketuarve nuk mjafton.

Më shumë se 76% e ekspertëve dhe 93% e qytetarëve të pyetur, kërkojnë ashpërsim të legjislacionit për dekriminalizimin duke kërkuar ndalimin  përjetë në përfshirje politike të atyre me të shkuar kriminale.

 

Top Channel