Rikthehen kazinotë/ Qeveria cakton zonat dhe kriteret për hapjen e lojërave të fatit

09/09/2020 19:45

Rikthehen kazinotë në qendër të Tiranës. Qeveria ka miratuar vendimin për përcaktimin e kritereve dhe zonave se ku do të lejohet aktiviteti i kazionove në kryeqytet, pas ligjit qe miratoi për mbylljen e tyre në Dhjetor të 2018-ës dhe lejimit vetëm në hotele me 5 yje.

Në vendimin e publikuar në Fletoren Zyrtare përcaktohet se kazinotë do të mund të përqendrohen më konkretisht nga rruga e Barrikadave tek Urani Pano Rruga: “Dedë Gjon Luli”; Rruga: “Ibrahim Rrugova”; Bulevardi: “Zhan D’Ark”, Rruga: “Xhorxh W. Bush”.

Një licencë për “Kaziono” do të kushtojë 1 miliardë lekë ku përfshihet e drejta vetëm për një sallë dhe gara për dhënien e ushtrimit të licencës do të shpallet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

Referuar vendimit, subjektet duhet të kenë një kapital prej 1.2 miliardë lekësh, ndërsa do të kenë detyrim që të tregojnë burimin e të ardhurave për objektin e aktivitetit të lojërave të fatit.

Kriteret po ashtu përfshijnë transparencën e subjekteve në rastin e aksionerëve kur janë më shumë se një dhe detyrimin e tyre për të njoftuar Autoritetin e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit në rast të transferimit të licencës.

Subjekte duhet të instalojnë sistemin e tyre të monitorimit online i cili do të lidhet më pas me atë të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, ndërsa duhet të regjistrojnë të gjithë lojtarët ku të dhënat e tyre do të ruhen për një periudhë 3-vjeçare.

Top Channel