Albert Mahmutaj, nënkampion i botës në Kickbox në vitin 2005 këtë të martë, se bashku me familjen e tij, gruan dhe katër fëmijët, protestoi përpara Kryeministrisë.

Prej 15 vitesh asnjë qeveri nuk i ka dhënë shpërblimin që atij i takon. premtimet kanë qenë të shumta ndaj sot ai pasi e bëri publike më herët kërkesën e tij nëTop Channel, protesta e tij u përshkallëzua në një akt simbolik para zyrave të qeverisë.

“ Arsyeja që po protestoj është për një të drejtë që më është mohuar prej vitesh. Në kampionatin e 2003-shit, me takojnë 60 milion lekët të vjetra. Në 2005, janë 80 milionë lek të vjetra. Megjithëse ish kryeministri Sali Berisha, ka nxjerrë një urdhër nga kjo kryeministri, në 2006, që unë të marr shpërblimin nga kryeministria. do të me jepnin 15 milionë lekë, por ngeli procedura në ajër”, tha ai.

Pas protestës, ai iu drejtua vet zyrave të kryeministrisë, ku jashtë e priste familja e tij.

“Kam dorëzuar vetëm dokumentet. Shpresoj të japin një përgjigje pozitive. Shkova vet me këmbënguljen time. Jam i vendosur, sepse nuk e lë, as djersën time, as gjakun tim, për këtë flamur, që jam shklyer e jam bërë copë e çike nëpër kampionate ballkanase, Evrope dhe botërore”.

Mohimi i kësaj të drejtë, e ka detyruar nënkampionin e botës, që sot të jetojë vetëm më një rrogë dhe në shtëpi me qera. Këmbëngulja dhe thirrja e tij e dëshpëruar, sot është kjo.

“E kam vendosur do takoj kryeministrin, nuk iki që këtej një javë. E kam lënë edhe punon ku punoja. Do e takoj kryeministrin me doemos”.

Andi Bora

Top Channel