Për 6 mijë euro ndryshoi masën e sigurisë/ Si u zbulua rrjeti i korrupsionit, nga gjyqtarja tek sekserët dhe dekani, policia jep detajet

09/09/2020 16:48

Policia zbardh detaje të reja për operacionin ku u la në arrest shtëpie gjyqtarja Mimoza Margjeka, një avokat, si dhe u arrestuan 3 të tjerë.

Sipas policisë në pranga janë vënë 5 shtetas, mes të cilëve edhe dekani i Fakultetit Juridik në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, Arben Cara, i cili është edhe bashkëshorti i gjyqtares.

Nëpërmjet shtetasit Arben Cara, gjyqtarja Mimoza Margjeka ka marrë shumën prej 6 mijë eurosh për të nxjerrë nga burgu një person nga Korça, i cili akuzohet për “Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.

5 shtetasit e arrestuar janë:
A. C., banues në Tiranë, me detyrë dekan i Fakultetit Juridik në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, i cili u arrestua për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë” (bashkëshorti i gjyqtares);

N. B. banues në Sauk, Tiranë, sekser, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë” (vëllai i të dënuarit që iu ndryshua masa e sigurisë).

K. Zh., banues në Korçë, sekser, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë” (pronari i hotelit ku iu dorëzua shuma e eurove bashkëshortit të gjyqtares).

Gjithashtu u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasit:

M. M., banuese në Tiranë, gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë Durrës dhe e komanduar në Gjykatën e Apelit Korçë, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

S. D., banues në Tiranë, avokat në Dhomën e Avokatisë në Tiranë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë ligjore për një rast të korrupsionit gjyqësor, referoi materialet në SPAK, për veprat penale “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionareve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni pasi i gjyqtarëve , prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”.

Mbi bazën e materialeve të referuara SPAK regjistroi procedimin penal dhe si rezultat i hetimeve u arrit të dokumentohej një rast korruptiv në gjyqësor.

Gjyqtarja M. M., duke abuzuar me detyrën, kundrejt përfitimit të 6 mijë eurove, ka bërë ndryshimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Apelit Korçë për të arrestuarin O. B., i arrestuar për veprën penale “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, nga “Arrest në burg” në garanci pasurore 500.000 lekë.

Shtetasi N. B., banues në Sauk, vëllai i të arrestuarit kishte pajtuar si avokat mbrojtës për vëllanë e tij shtetasin O. B., avokatin S. D., i Dhomës së Avokatisë Tiranë, i cili me njohjen që kishte me bashkëshortin e gjyqtares, ka ndikuar kundrejt shumës së mësipërme që gjyqtarja të bënte ndryshimin e masës së sigurisë.

K. ZH., mbi bazën e njohjes që kishte me avokatin dhe bashkëshortin e gjyqtares, ka ndërmjetësuar takimet midis gjyqtares, avokatit dhe sekserit në ambientet e hotelit të tij në Korçë, vendi ku i kanë dorëzuar bashkëshortit të gjyqtares shumën e eurove, duke i premtuar se bashkëshortja do të bënte ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest në burg” në garanci pasurore, masë e cila ishte vendosur nga Gjykata e Apelit për të arrestuarin O. B.

Drejtoria Hetimore Qendrore, nën drejtimin e SPAK-ut, vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë rast korruptiv.

Top Channel