Pak ditë përpara  ndarjes nga jeta të gjyshes të tyre Eva dhe Endri Dumani  nga kampi Al Haul në Siri, kanë regjistruar amanetin e saj të fundit.

Me një zë të lodhur nga sëmundja e gjatë, Mentije Dumani kërkon vetëm një gjë. Të mbyllë sytë në tokën shqiptare, por nuk ia arriti.

“Ju e dini arsyen time se sa herë ju kam thënë për tu kthyer në Shqipëri. Mirëpo nuk e keni parë të arsyeshme. Kam bërë tre herë kërkesë. Tani jam në gjendje të rëndë shëndetësore. Jam shumë keq, jam shumë e rëndë e sëmurë. Më janë paralizu dy këmbët. Dy fëmitë që kam janë të vegjel jetim janë të vogël dhe të më ktheni në Shqipëri sa ma shpejt të më bashkoni me fëmitë e mi. Sa ma shpejt ju bëj lutje…sa ma shpejt të më bashkoni me fëmitë e mi. Kaq kisha unë. Nuk jam në gjendje të flas ma shumë”.

Për gratë dhe fëmijët shqiptarë në këtë kamp shpresa për  riatdhesim nuk është shuar.  Nga ana tjetër raportime  të shumta në mediat e huaja kanë zbuluar se kampi Al Haul është kthyer në biznes të mirëfilltë.

Kundrejt pagesës kurdët mund  tu japin lirinë grave e fëmijëve. Çmimi për të marrë një grua apo fëmijë nga ky kamp, shkon deri në 15.000 dollarë.

Top Channel ka mësuar se familjet në Shqipëri të  grave dhe fëmijëve  në Al Howl të Sirisë,  janë duke përgatitur një protestë përpara kryeministrisë,  një ditë përpara fillimit të shkollës, për ti apeluar qeverisë ti hedh sytë edhe nga femitë shqiptarë mbetur në Siri, që si bashkëmoshatarët e tyre duhet të uleshin në bankat e shkollës.

Muhamed Veliu

Top Channel