Të dielën Presidenti Donald Trump mbrojti sërish mbështetjen që ai u ka dhënë trupave amerikane ndërsa disa zyrtarë të administratës u rreshtuan krah tij pas raporteve se Presidenti kishte përçmuar ushtarët amerikane të rënë në Evropë dhe se nuk kishte pranuar të vizitonte një varrezë amerikane gjatë një udhëtimi në Francë në 2018-n.
Në një artikull të botuar të enjten të revistës “The Atlantic” shkruhej se zoti Trump iu referua marinsave amerikane si “humbës” dhe se nuk kishte pranuar ta vizitonte varret e tyre në një zonë pranë Parisit, në nëntor 2018-s, për shkak të shqetësimit se shiu që binte atë ditë do t’i shpupuriste flokët. Presidenti e hodhi sërisht poshtë si të pavërtetë një lajm të tillë.
Të dielën Bloomberg raportoi se zoti Trump më pas e kaloi kohën e lirë duke zgjedhur vepra arti që ndodheshin në rezidencën e ambasadorit amerikan në Paris për t’i marrë me vetë në Shtëpinë e Bardhë. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë nuk kanë bërë ende ndonjë koment mbi artikullin e Bloomberg-ut, që citonte disa njerëz që kishin dijeni mbi ngjarjen. Agjencia “Reuters” nuk mundi ta konfirmojë raportin.
Presidenti Trump i cili po kërkon të rizgjidhet pjesërisht për shkak të mbështetjes së tij të zëshme ndaj ushtrisë amerikane, kritikoi ashpër demokratët dhe mediat të dielën në një postim në Twitter:
“Ata do të thonë gjithçka si gënjeshtrat e tyre të fundit për mua dhe ushtrinë, me shpresën se diçka do të mbetet … por #MAGA e kupton!, shkruante Presidenti duke iu referuar mbështetësve të tij që mbështesin parullën e tij “Ta bëjmë Amerikën sërisht madhështore”. Ish-Nënpresidenti demokrat Joe Biden, i cili do të sfidojë zotin Trump në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, i quajti komentet e presidentit për ushtarët e rënë, “një turp” nëse janë të vërteta, siç tha ai.
Gjatë një interviste për rrjetin televiziv CNN të dielën sekretari për Çështjet e Veteranëve Robert Wilkie u bëri jehonë komenteve të javës së kaluar të sekretarit të Mbrojtjes Mark Esper, se zoti Trump i respekton trupa amerikane dhe se ai kurrë nuk kishte dëgjuar që presidenti të përçmonte ushtarakët amerikanë apo veteranët.
Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin gjithashtu mbështeti zotin Trump. “Presidenti ka qenë gjithmonë 100 për qind mbështetës i ushtrisë”, u tha zoti Mnuchin gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë./VOA
Top Channel