Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump ndërmori një tjetër sulm verbal ndaj rivalit të tij për zgjedhjet e 3 nëntorit, duke pretenduar se kandidatët demokratë Joe Biden dhe Kamala Harris “duhet të kërkojnë menjëherë falje për retorikën e papërgjegjshme anti-vaksinë”.
Biden tha të hënën se ai do të donte që të kishte një vaksinë që nesër, edhe sikur kjo t’i kushtonte rizgjedhjen. Por “nëse del një vaksinë e mirë, njerëzit do të hezitojnë ta marrin” sepse deklaratat e shpeshta keq informuese të presidentit dhe të pavërtetat lidhur me virusin “po sabotojnë besimin e publikut”. “Ai ka thënë kaq shumë gjëra të pavërteta”, tha Biden.
Nga shtëpia e bardhë ndërkohë, Trump tha se në kundërshtim të “gënjeshtrave politike”, çdo vaksinë e miratuar nga qeveria federale për përdorim masiv, do të jetë “shumë e sigurt dhe shumë efektive”. Fushata presidenciale në SHBA ka hyrë ndërkohë në fazën më të nxehtë të saj në një kohë kur sipas të dhënave, pandemia e koronavirusit vazhdon të marrë rreth 1 mijë jetë amerikanësh çdo ditë. Biden ishte të hënën në Pensilvani, një nga shtetet vendimtare për rezultatin e zgjedhjeve.
Që andej ai e akuzoi Trump se e ka keqmenaxhuar situatën e pandemisë duke shkaktuar më shumë pasiguri ekonomike dhe humbjen e miliona vendeve të punës. Trump, nga ana tjetër, e vlerësoi punën e administratës mes pandemisë, duke parashikuar një rimëkëmbje të shpejtë të ekonomisë amerikane dhe duke deklaruar se nëse Biden, fiton zgjedhjet “Kina do ta ketë në dorë këtë vend”.
Top Channel