Rrëmbehet liderja e opozitës, u morr forcërisht në qendër të Minks, janë zhdukur edhe opozitarë të tjerë

08/09/2020 01:14

Persona të paidentifikuar kanë rrëmbyer një nga figurat kryesore të opozitës bjelloruse, Maria Kolesnikova, nga një rrugë në qendër të kryeqytetit, Minsk.

Dëshmitarë okularë thonë se Kolesnikova është marrë forcërisht e është futur në një furgon, i cili është larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Ajo është një prej partnereve kryesore të fushatës së kandidates opozitare në zgjedhjet e shumëdiskutuara presidenciale të 9 gushtit , Svetlana Tikhanovskaya, e cila pretendon fitoren kundër presidentit Alexander Lukashenko, por që betejën e saj tani po e vazhdon në mërgim.

Kolesnikova u raportua të jetë rrëmbyer diku pas orës 10 të mëngjesit me orën lokale teksa po ecte pranë muzeut kombëtar të artit të Minskut. Tre anëtarë të tjerë të këshillit koordinues të opozitës janë zhdukur gjithashtu, në atë që duket të jetë një përpjekje e autoriteteve vendase për të fashitur protestat në vend, përmes goditjes së krerëve të tyre.

Kolesnikova është figura më e shquar politike që ndodhet ende brenda Bjellorusisë. Fitorja e Lukashenkos – në zgjedhjet e konsideruara gjerësisht si të manipuluara – ka shkaktuar protesta masive në Bjellorusi.

Një ditë më parë, më shumë se 100,000 vetë marshuan drejt rezidencës presidenciale duke përsëritur thirrjet për largimin e tij. Policia vuri në pranga 633 persona, e disa grupe pro-qeveritare ndoqën dhe rrahën protestues që ktheheshin në shtëpi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA