Kundërshtarja e Lukashenkos, kërkon “ndihmë” për Bjellorusinë

08/09/2020 19:28

Udhëheqësja e opozitës në Bjellorusi, Svyatlana Tsikhanouskaya, e cila ndodhet në mërgim në Lituani, tha se situata në vendin e saj është “absolutisht e papranueshme” dhe kërkoi presion ndërkombëtar për largimin e presidentit bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, nga pushteti.

Në një paraqitje virtuale të martën para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Tsikhanouskaya po ashtu kërkoi sanksione kundër Lukashenkës dhe qeverisë së tij.

“Vendi im, kombi im, njerëzit e mi kanë nevojë për ndihmë. Ne kemi nevojë për presion ndërkombëtar ndaj këtij regjimi. Kemi nevojë për sanksione ndaj individëve që lëshojnë dhe ekzekutojnë urdhra kriminale, që shkelin normat ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut. Neve na duhet lirimi i menjëhershëm i të gjithë të burgosurve politikë dhe të fillojmë një dialog të civilizuar, për të gjetur mënyra që vendi ynë të ecë përpara”, tha Tsikhanouskaya.

Në Bjellorusi, tash e një muaj, ka protesta kundër regjimit të Lukashenkës, të cilave autoritetet u janë përgjigjur me arrestime masive dhe rrahje.

Lukashenka mban pushtetin në Bjellorusi qysh në vitin 1994.

Ai është rizgjedhur president muajin e kaluar, por, sipas opozitës, zgjedhjet janë manipuluar.

“Unë refuzoj – si miliona bjellorusë – të pranoj se ky është fati i vendit tim. Unë refuzoj, ashtu si miliona bjellorusë, të pranoj që bota thjesht do të qëndrojë dhe do t’i shikojë këto abuzime të panumërta të të drejtave të njeriut… Unë refuzoj – si miliona bjellorusë – të heq dorë“, tha Tsikhanouskaya.

Ajo ka garuar kundër Lukashenkës në zgjedhjet e 9 gushtit.

Disa ditë më vonë, pas zërave se është në listë për arrestim, ajo është larguar për në Lituani.

Lukashenka i ka mohuar të gjitha akuzat për manipulim të votave dhe i ka fajësuar disa vende të Bashkimit Evropian për përpjekje për të detyruar ndryshimin e regjimit./REL/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA