Fiton betejën me Covid/ Deputeti i PS në Vlorë: Jeta është e bukur, prandaj kujdesuni

08/09/2020 09:48

Deputeti i PS-së në qytetin e Vlorës, Edmond Leka ka njoftuar se ka fituar betejën me COVID-19.

Ndërsa ka falenderuar të gjithë, familjen e tij që i ka qëndruar pranë, jo fizikish, mjekët, ai thotë se “Jeta është e bukur kur e jetojmë me shëndet të plotë, prandaj të kujdesemi më shumë për veten dhe për njerëzit tanë të dashur”.

Postimi

“Mbas një periudhe të gjatë disa ditore me Covid-19, më në fund pranë familjes dhe njerëzve të mi të dashur që ndenjën kaq ditë e net pa gjumë së bashku me mua. Mirënjohje pa fund për heronjtë e Spitalit infektiv në QSUT, prof dr Najada Como, prof dr Tritan Kalo, dr Pellumb Pipero, dr Nevila Gjermeni, reanimatorëve, dhe gjithë Stafit të Shërbimit Infektiv, infermierëve dhe sanitarëve, që cdo ditë natë gjendeshin pranë të sëmurëve duke na dhënë shpresë dhe kurajo për ta përballuar me sukses sëmundjen pa marrë parasysh asnjë rrezik për veten.(Edhe pse pothuaj i gjithë personeli ishte përballur me infeksionin Covid-19).

Faleminderit dr Skender Brati, dr Bruna Mersini, dr Dritan Leli, dr Maksi Gega, dr Kujtim Llapi që edhe pse me ngarkesën e punës tuaj nuk rreshtët së interesuari për shëndetin tim. Faleminderit shumë kolegë, miq, shokë, të afërm që mu gjendët aq pranë në këto ditë të vështira dhe në shumë raste nuk munda t’Ju përgjigjem shumë prej mesazheve tuaja. Më dhatë energji, forcë dhe kurajo cdo ditë, për ta përballuar me sukses këtë periudhë të vështirë.

Miqtë e mi!
Jeta është e bukur kur e jetojmë me shëndet të plotë, prandaj të kujdesemi më shumë për veten dhe për njerëzit tanë të dashur.
Uroj vetëm shëndet në familjet Tuaja! Faleminderit! Ju jam shume mirenjohes te gjitheve! Këta janë heronjte e cdo dite në luftën kundër COVID -19”, shkruan ai.

Top Channel