Ai që do të shihni në video është Rifat Dema, 52 vjeç, me Sindromën Down, nga fshati Mazhë, i Krujës.

Video është regjistruar vitin e shkuar, pasi që prej janarit të këtij viti, Rifati nuk mundet të ec dot më, pas një aksidenti që pësoi pak metra larg shtëpisë.

Vëllai i tij Hysniu, tregon për Top Channel, se Rifati, pavarësisht Sindromës që kishte, ishte mjaft i angazhuar në punët e shtëpisë.

“Ky shkonte çdo ditë në mëngjes në orën 7 tek lokali merrte bukët. duke shkuar për të marrë bukët, makina e ka përplasur. Në spital ushtarak ka ndenjur 24 ditë në gjendje kome, pastaj ka dal nga koma dhe ka ndenjur në pavijon edhe dy muaj të tjerë”.

Kunata e Rifatit, Drita, prej vitesh i ka qëndruar pranë atij, por pas aksidentit, së bashku me burrin e saj, përkushtimi është më i madh.

“Unë do ti përkushtohem deri në pikë të fundit. Ky siklet, kjo makabër që më ka rënë mos i rëntë për pjesë asnjërit. I lutem të gjithë njerëzve, se kam fëmijë vet, kam fëmijë me makinë, të përkujdesen, për këta njerëz sidomos…ti bëjnë sytë katër”.

Aksidentet rrugore të kësaj natyre, në shtatë-mujorin e parë të këtij viti, kanë lënë të plagosur 736 persona, mes tyre edhe në gjendje të rëndë. Ne folëm me Ekspertin e Sigurisë Rrugore, Gëzim Hoxha, i cili thotë se kujdesi në rrugë duhet shtuar, pasi rasti i Rifatit, është një aksident nga pakujdesia e shoferit. Sipas tij, në zonat e banuara, duhet më shumë vëmendje.

“Këtu jemi në një qendër të banuar. Shpejtësia e lejuar është 40 kilometra në orë. Enti pronar i rrugës dhe ligjvënësi, qëllimisht e ka vendosur këtë shpejtësi 40 km/h, që të rritet kujdesi tek drejtuesit e mjeteve me qëllim që të mos bëjnë aksidente, sepse në qendrat e banuara, ka njerëz të sëmurë, njerëz të pirë, me probleme, njerëz të moshuar, dhe ligjvënësi prandaj e ka vënë këtë, që të bëhet kujdes për të ruajtur jetët e njerëzve”.

Top Channel