Frikë për t’u shtruar në spital/ Të infektuarit me Covid-19 preferojnë që të trajtohen në shtëpi

07/09/2020 15:05

Personat e prekur nga Covid-19 refuzojnë të shtrohen në spital edhe kur gjendja e tyre shëndetësore e kërkon një gjë të tillë.

Numri i lartë i humbjeve të jetëve, mungesa e komunikimit me familjarët  dhe frika që ngjall kjo sëmundje janë arsyet që ata zgjedhin të trajtohen në kushte shtëpie nga mjekët e familjes.

“Një pneumonosi është komplikacion dhe protokolli e do që të shkojnë në spital te specialistët. Nga ana tjetër e dëmton dhe ekonomikisht se ilaçet duhet t’i blejë vetë. Por realisht ka shumë refuzime”, shprehet Dr. Bruna Shiroka, Qendra Shëndetësore nr.3.

Edhe rastet e rënda kur kanë refuzuar të shtrohen janë trajtuar nga mjeku i familjes gjithmonë duke u asistuar nga mjekët e Infektivit apo dhe Sanatoriumit . Por mjekët e familjes kanë rol të rëndësishëm në përballimin e pandemisë Covid-19, pasi duke i njohur dhe diagnozat e tjera ia kanë dalë t’i trajtojnë me sukses kur pacientët e tyre janë prekur nga Covid-19.

“Qendra jonë ka 90 pacientë me Covid dhe 80 të dyshuar, pasi presin përgjigjen e tamponit”.

Por pacientët që trajtohen në shtëpi u duhet ta përballojnë sëmundjen me kosto të larta që shkojnë mesatarisht 150 mijë lekë të reja.

Top Channel