Në dhjetorin e vitit 2013, qeveria shqiptare nënshkroi përmes ministrit të Brendshëm të asaj kohe marrëveshjen më të rëndësishme në luftën ndaj krimit dhe korrupsionit. Bëhet fjalë për marrëveshjen e Shqipërisë me Europol, e cila u arrit pas shumë vitesh këmbëngulje.
Në marrëveshjen e asaj kohe të siguruar nga Gazeta Shqip bie në sy edhe një fakt mjaft domethënës. Europol, ashtu sikurse ka firmosur ish-ministri Saimir Tahiri heton vetëm 24 vepra penale.
Kompetencat e Europolit mbulojnë kryesisht krimin e organizuar, terrorizmin dhe format e tjera të krimeve të rënda. Trafikimi i paligjshëm i drogave, aktivitetet e paligjshme të pastrimit të parave, krimi i lidhur me substancat nukleare dhe radioaktive, kontrabandimi i paligjshëm i emigrantëve, trafikimi i qenieve njerëzore, krimi i mjeteve motorike, vrasjet, plagosjet e rënda në trup janë disa prej tyre. Por nuk është lënë jashtë vëmendjes edhe tregtia e paligjshme e organeve dhe indeve njerëzore, rrëmbimi, pengmarrja dhe mbajtja e paligjshme e personave, racizmi dhe ksenofobia, vjedhja e organizuar kryesisht e bankave, trafikimi i paligjshëm në vlerat kulturore, duke përfshire veprat antike dhe veprat e artit, mashtrimi dhe zhvatja, shantazhi dhe shfrytëzimi, falsifikimi dhe pirateria e produkteve.
Për autoritetet policore evropiane, Shqipëria duhet ndihmuar edhe në hetimin e veprave penale të falsifikimit të dokumenteve administrative dhe trafikimi me anë të tyre, falsifikimi i parave dhe i mënyrave të pagesave, krimi kompjuterik, korrupsioni, trafikimi i paligjshëm i armëve, municioneve dhe eksplozivëve, trafikimi i paligjshëm i specieve në zhdukje, trafikimi i paligjshëm i bimëve në zhdukje dhe i shumëllojshmërive, krimi mjedisor, trafikimi i paligjshëm i substancave hormonale dhe promovuesve të tjerë të rritjes.
Në përputhje me detyrimet e Europolit sipas Kartës së të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian; Duke qenë të vetëdijshëm për detyrimet e Republikës së Shqipërisë ndaj Konventës Evropiane Shqipëria ra dakord që përmes shkëmbimit të informacionit ndërmjet Europolit dhe Republikës së Shqipërisë të ngrihet në një tjetër nivel lufta ndaj terrorizmit, dhe vendosja e oficerëve ndërlidhës.
Top Channel