Rikthehet “Fiks Fare”/ Emisioni investigativ nis sezonin e 18 në ekranin e Top Channel

06/09/2020 14:59

Fiks Fare, emisioni më i dashur i shqiptarëve, starton sezonin e 18-të të hënën, më 7 shtator.

Çdo mbrëmje, duke filluar nga ora 20.10 në Top Channel, Devi dhe Dori do t’ua bëjnë më të bukur tryezën shqiptarëve, duke u servirur investigime, kronika denoncuese, apo edhe intervista humoristike nga çdo cep i Shqipërisë. Në krah të dy moderatorëve do të jenë dy bukuroshe të reja, Jora dhe Regisa.

Pas disa javësh audicione, ku morën pjesë qindra vajza nga e gjithë Shqipëria, juria vendosi të përzgjedhë dy velinat.  Jora Hodo, është balerinë profesioniste, ajo ka punuar më parë në Top channel dhe dy vitet e fundit ka bërë një tur në të gjithë botën.   Jora do të ketë partnere Regisa Koxhajn, brune 19 vjeçare, e cila ka studiuar për koreografi, ndërkohë që është marrë edhe me sport.

Programi më i ndjekur televiziv, i cili bazohet te denoncimet dhe korrupsioni i të gjitha hallkave të administratës, ka punuar gjatë këtyre javëve, duke zbuluar nga çdo skaj i Shqipërisë problematikat e shumta. Korrupsion, krime mjedisore, abuzime me detyrën, përfitime të padrejta, shkelje e barazisë në tendera, falsifikime dokumentesh, e shumë tematika të tjera, janë investiguar nga Fiksi dhe do të transmetohen në javët në vijim. Gjithçka të faktuara, me zë dhe figurë, Fiksi vjen me risi në tema, por duke ndjekur me fanatizëm analizimin e fakteve.

Tashmë, sytë e veshët e shqiptarëve do të rikthehen në Top Channel, nga e hëna në të premte, pas edicionit qendror të lajmeve.

Top Channel