Shenjtërimi i Nënë Terezës është përkujtuar edhe nga Papa Françesku përmes një postimi në Twitter, ku ka drejtuar një lutje te posaçme.
“Nënë Tereza, punëtore e palodhur e bamirësisë, lutu për ne, që mënyra jonë e veprimit të jetë gjithmonë dashuria falas, që të derdhet te të gjithë pa dallim gjuhe, kulture, race apo feje!”, shkruan papa Françesku në postimin e tij në Twitter.
Si sot katër vite më parë, më 5 shtator 2016, Nënë Tereza, që për miliona njerëz anembanë botës ishte shenjtore edhe për së gjalli, u shpall zyrtarisht edhe nga Vatikani si e tillë.
Shën Tereza “u lumturua” në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II.
Anjeza Gonxhe Bojaxhiu lindi në vitin 1910 në një familje shqiptare. Në moshën 18-vjeçare ajo iu bashkua një manastiri irlandez, ku mori emrin Motra Mari Tereza.
Më pas, ajo u nis me mision për në Indi, në qytetin e Kalkutës. Aty Nënë Tereza themeloi urdhrin e saj Misionarët e Bamirësisë për t’u shërbyer të gjithë të varfërve, çka e kreu më përkushtim deri në fund të jetës së saj.
Top Channel