Bashkia e Vlorës fiton gjyqin ndaj Tis Park/ Leli: Kërkonin të merrnin peng financiarisht bashkinë për 50 vitet e ardhshme

05/09/2020 11:16

Bashkia e Vlorës ka fituar gjyqin në gjykatën e Arbritazhit në Paris ndaj Tis Park.

Kryetari i bashkisë Dritan Leli flet për këtë çështje e cila nëse do të ishte humbur, kjo bashki i detyrohej kompanisë 1 milion euro çdo vite nga fondet e kësaj bashkie.

Mbrëmë në darkë erdhi lajmi, një super lajm duhet të them , ajo që ne kemi fituar çështjen ndaj Tis Park. Kontrata tashmë quhet e përfunduar. Tani përkundrazi, Tis Parku duhet të na paguajë rreth 700 mijë dollarë dhe detyrime të tjera që janë harxhuar për të fituar këtë çështje, nuk do jemi më peng e kërkesës absurde nga kjo firmë e cila kërkonte 23 milionë euro dëmshpërblim duke llogaritur dhe konseguencat e tjera deri në 50 milionë euro. Ata kërkonin të merrnin peng financiarisht bashkinë për të paktën 50 vitet e ardhshme”, tha Leli.

Kujtojmë se kompania koncesionare “Tis Park” kishte paditur Bashkinë e Vlorës në Gjykatën e Arbitrazhit të Parisit për prishje të njëanshme të kontratës, duke kërkuar një dëmshpërblim nga 24 deri në 58 milionë dollarë.

Parkingjet e Vlorës u dhanë me koncesion në shkurt të vitit 2015 tek dy kompani guackë të regjistruar në parajsën fiskale të Delaware, “Tis Holding” dhe “On Track Innovations”. Sipas marrëvëshjes koncesionare të firmosur nga ish-kryebashkiaku Shpëtim Gjika, kompania private do të investonte 10 milionë lekë në vit në parkingjet publike të Vlorës dhe në këmbim do të vilte pagesën nga automjetet e qytetarëve për 15 vjet.

Por, sapo u instalua sistemi i pagesës, qytetarët vlonjatë protestuan fuqishëm duke e detyruar kompaninë të largohej.

Por, pas prishjes së kontratës, kompania koncesionare e ka paditur bashkinë në Arbitrazhin e Parisit. Në nenin 29 të kontratës ekziston një klauzolë ku thuhet se në rast prishjeje të njëanshme të kontratës apo dështimit për fajin e shtetit, bashkia ka rënë dakord t’i paguajë koncesionarit privat të ardhurat e parashikuara për 15 vjet, pra gjithë jetëgjatësinë e koncesionit.

Sipas një formule të detajuar, pjesë e marrëveshjes koncesionare, këtij dëmshpërblimi i korrespondon një shumë që varion nga 24 deri në 58 milionë dollarë.

Kontrata koncesionare e parkingjeve, përkatësisht klauzola që i jep të drejtën kompanisë të kërkojë deri në 58 milionë dollarë si dëmshpërblim nga taksapaguesit shqiptarë, është arsyeja se pse prokuroria ka marrë sërish të pandehur ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika.

Top Channel