Grupi G20 ka bërë thirrje për më shumë bashkëpunim midis vendeve për të tejkaluar ndikimin e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19).
Në një takim virtual të jashtëzakonshëm të mbajtur dje, ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të G20 dhe përfaqësuesit e organizatave ndërkombëtare diskutuan mbi “rëndësinë e bashkërendimit të masave parandaluese në menaxhimin ndërkufitar për të mbrojtur jetën dhe jetesën”.
Gjithashtu u bë thirrje për promovimin e masave për të lejuar funksionimin e ekonomisë me masat mbrojtëse të vendosura kundër koronavirusit.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres në fjalimin e tij u bëri thirrje vendeve anëtare të G20 të ndërmarrin veprime të përbashkëta për të luftuar pandeminë e koronavirusit. Mbledhja u kryesua nga ministri saudit Faisal bin Farhan Al Saud i cili bëri thirrje për rihapjen e kufijve në përputhje me të gjitha masat mbrojtëse dhe rregulloret kombëtare.
Vendet anëtare të G20 përfaqësojnë rreth 80 përqind të ekonomisë botërore ndërsa mes tjerash aty bëjnë pjesë SHBA, Bashkimi Evropian, Rusia, Turqia, Arabia Saudite, Brazili, India dhe Kina.
Top Channel