Sugjerimet e Presidentit Trump për votimin shkaktojnë konfuzion, reagim nga Facebook-u

04/09/2020 10:52

Presidenti amerikan Donald Trump u përpoq të sqaronte të ejten komentet që bëri një ditë më parë duke kërkuar që mbështetësit e tij të votonin dy herë për t’u siguruar që votat e tyre të numërohen. Këto komente shkaktuan konfuzion mbi mesazhin që synonte të përçonte dhe bëri që Facebook-u të etiketonte pretendimet e tij si çorientuese.

 

President Donald Trump talks to a crowd of supporters after arriving at Wilmington International Airport, Sept. 2, 2020, in Wilmington, N.C.
President Donald Trump talks to a crowd of supporters after arriving at Wilmington International Airport, Sept. 2, 2020, in Wilmington, N.C.

Në postimet që bëri në Twitter të enjten, presidenti pohoi se dërgimi i fletëve të votimit në mungesë dhe më pas shkuarja në vendvotime për të kontrolluar që fletëvotimi juaj ka mbërritur dhe nëse jo për të votuar personalisht do të shërbente si një kontroll kundër një sistemi votimi me postë që ai ka parashikuar në mënyrë të përsëritur, pa prova, se do të rezultonte në korrupsion, gabime në numërimin e votave dhe vonesa të papranueshme.

“Në ditën e zgjedhjeve, ose gjatë votimit të hershëm, shkoni në vendvotimin tuaj për të parë nëse vota juaj me postë është tabuluar (numëruar). Nëse është numëruar, nuk do të jeni në gjendje të votoni dhe sistemi i votimit me postë ka funksionuar si duhet. Nëse nuk është numëruar, VOTO (që është e drejtë e çdo qytetari),” thuhet në postimin e Presidentit Trump në Twitter.

Në komentet që bëri të mërkurën në një aeroport në Uilmington të Karolinës së Veriut, ku ai u përshëndet nga një turmë e ftuar mbështetësish, Presidenti Trump sugjeroi që ata të votojnë me postë dhe “pastaj të shkojnë dhe të votojnë” personalisht, gjithashtu.

Facebook njoftoi se ka në plan të marrë masa ndaj videove të postuara me komentet origjinale të Presidentit Trump.

“Kjo video shkel politikat tona që ndalojnë mashtrimin nga votuesit dhe ne do ta heqim atë nëse nuk korrigjohet”, thuhet në një deklaratë të kompanisë Facebook.

Kayleigh McEnany
Kayleigh McEnany

“Presidenti nuk e mbështet votimin e paligjshëm,” u përgjigj zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany në mënyrë të përsëritur kur u pyet nga gazetarët të enjten nëse ajo do të pranonte se është e paligjshme në Shtetet e Bashkuara të votohet dy herë në të njëjtat zgjedhje.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë akuzoi mediat se kanë nxjerrë jashtë kontekstit komentet e Presidentit Trump.

“Presidenti mbështet shfrytëzimin e të drejtës së votës, nuk e dekurajon atë”, shtoi McEnany.

“Është e paligjshme në të 50 shtetet dhe sipas ligjit federal të votohet dy herë”, tha Ellen Weintraub, një komisionere dhe ish kryetare e Komisionit Federal të Zgjedhjeve.

Weintraub, e emëruar nga partia demokrate, gjithashtu tha në Twitter se “nuk ka ende asnjë bazë për teorinë e konspiracionit” se votimi me postë do të çonte në manipulimin e zgjedhjeve, siç ka pohuar Presidenti Trump në mënyrë të përsëritur.

Bordi i Karolinës së Veriut për Zgjedhjet gjithashtu u përgjigj me shpejtësi përmes një deklarate të postuar në Twitter.

“Është e paligjshme të votosh dy herë në zgjedhje”, tha drejtorja ekzekutive e bordit për zgjedhjet, Karen Brinson Bell. “Ka kontrolle të shumta në vend në Karolinën e Veriut për të parandaluar njerëzit që të votojnë dy herë.”

Deklarata e zonjës Bell shpjegon se rregullat e zgjedhjeve në çdo vendvotim përmbajnë informacion mbi se kush ka votuar tashmë. Në ditën e zgjedhjeve, votuesit që kanë votuar në mungesë, hiqen nga listat e votimit, të cilat azhurnohen para se të fillojë votimi aktual personal.

“Meqenëse fletët e votimit në mungesë dhe ato nga votimet e hershme janë të rikuperueshme, nëse dikush përpiqet të kalojë sistemin, fletët e tyre të votimit mund të merren dhe të mos numërohen, kështu që kjo nuk do të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve”, shtoi Bell.

Zyrtarët e Miçiganit, Prokurorja e Përgjithshme Dana Nessel dhe Sekretarja e Shtetit Jocelyn Benson, të dy demokratë, lëshuan një paralajmërim për votuesit në atë shtet të enjten se “votimi me dashje dy herë është i paligjshëm dhe do të hetohet si një vepër penale”.

Joe Biden
Joe Biden

Kandidati demokrat për president, Joe Biden, i cili do të përballet me zotin Trump në zgjedhjet e nëntorit e ka akuzuar atë për “përpjekje për të delegjitimuar” procesin zgjedhor.

“Mënyra për ta kapërcyer këtë është të votosh. Voto, voto, voto,” tha ish nënpresidenti në një intervistë me kanali WSB-TV në Atlanta të mërkurën. “Dhe nuk ka asnjë provë se votimi përmes postës është mashtrues”.

Korrespondenti i Sigurisë Kombëtare Jeff Seldin kontribuoi në këtë raportim./VOA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA