Është bërë e mundur zbardhja dhe dokumentimi i një vrasjeje të ndodhur në vitin 2012, në vendin e quajtur “Mali me Gropa” në Tiranë.
Mësohet se është vënë në pranga njëri prej autorëve, ndërsa autorit tjetër i është komunikuar masa në IEVP-në ku vuan dënimin. Në kuadër të hetimeve u bë e mundur gjetja e disa pjesëve të një skeleti (eshtra) të një kufome të paidentifikuar të gjetur në datë 14.09.2012.
Pas një pune hetimore të pandërprerë që prej vitit 2017, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë janë rifilluar hetimet në lidhje me këtë çështje dhe mbi veprimet hetimore dhe procedurale, është bërë i mundur identifikimi shkencor i eshtrave, të cilat i përkasin shtetases Eglantina Buci, lindur në vitin 1989 në Dibër (pra ishte 23 vjeçe kur ndodhi vrasja) dhe banuese në Babrru, Tiranë.
Nga grupi hetimor i ngritur posaçërisht për këtë çështje, u bë zbardhja dhe dokumentimi i plotë ligjor me prova shkencore i kësaj ngjarjeje. Në datën 04.09.2020, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vendosur masat e sigurisë “Arrest në burg” për autorët e dyshuar të kësaj ngjarje, konkretisht shtetasit:
Faik Buci, 66 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Babrru, Tiranë dhe Shkëlqim Buci, 37 vjeç, lindur në Peshkopi dhe banues në Babrru, Tiranë.
Shtetasit F. B. dhe Sh.B., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë më armë zjarri pistoletë shtetasen E. B. dhe më pas e kanë fshehur (groposur) kufomën, në Malin me Gropa, Tiranë. Trupi i së ndjerës u gjet i shqyer nga kafshët.
Motivi i vrasjes së bërë nga babi dhe vëllai i saj është pasi shtetasja E. B. është larguar nga banesa për të bashkëjetuar me një shtetas tjetër, pa dëshirën e personave të lartpërmendur F.B dhe Sh.B (familjarë të saj).
Theksojmë se shtetasit Sh. B. iu komunikua masa e sigurisë në ambientet e IEVP-së ku vuan dënimin, pasi është arrestuar më parë po nga Sektori Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për një ngjarje tjetër, për “Vrasje me paramendim” të ngelur në tentativë, të ndodhur në Tiranë, në vitin 2017. Ky shtetas aktualisht është duke vuajtur dënimin me 13 vite burgim.
Ndërsa pas daljes së masës së sigurisë për shtetasin F. B., Sektori i Krimeve të Rënda Ndaj Jetës dhe Pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pas marrjes së informacioneve të shpejta në rrugë operative nga ana e specialistëve dhe ndihmësspecialistëve bëri të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij.
Në momentin e kapjes këtij shtetasi i është gjendur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë e ftohtë thikë. Materialet në ngarkim të shtetasve F. B. dhe Sh. B. i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësore Tiranë, për veprat penale ”Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, ”Mbajtja pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” dhe ”Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” .
Top Channel