Dyert e shtëpive mbajnë brenda tyre dashurinë më të madhe, por herë herë edhe dramat më të mëdha. Aty ku duhet të mbizotërojë oazi i ngrohtë i familjes, jo rrallë herë, mbizotëron makthi i një burgu.
Marsela është një vajzë nga Peqini e cila u martua 16 vjeçe ndërsa shumë shpejt jeta e saj thuajse ende fëmijërore ra pre e bashkëshortit dhunues. Ardhja në jetë e fëmijës do të bënte edhe më të dhunshëm bashkëshortin ndërsa Marsela do të përjetonte një dhimbje edhe më të madhe. Fëmija u diagnostikua me epilepsi dhe autizëm.
Teksa dhuna arriti ekstremin kur bashkëshorti dhe babai i tij tentuan të vrasin nusen e re, Marsela u largua dhe kërkoi ndihmë në polici. Pas dënimit bashkëshorti u kthye sërish edhe më i dhunshëm.
Marsela ka frikë të dalë në rrugë dhe mbi të gjitha s’ka asnjë mundësi ekonomike të ndjekë terapitë e djalit. Madje edhe kempin e fëmijës e merr babai dhunues.
Vajza 23 vjeçare mban mbi supe një histori të madhe dhimbje, tashmë duket se po e braktis edhe shpresa e fundit teksa jeton me pensionin e gjyshes dhe s’ka askënd kujt t’i drejtohet për ndihmë.
Top Channel