Rreth 6.2 miliardë lekë është vlera e fondit të përfituar deri më tani nga bizneset përmes Garancisë Sovrane 2 për likuidet, instrument i vënë në dispozicion për sipërmarrjet e prekura nga Covid-19.

Burime nga Ministria e Financave bëjnë të ditur për Top Channel se deri më datë 31 gusht janë miratuar kërkesat kredi për 197 kompani, për marrjen e huave për kapital qarkullues apo investime.

Ndërkaq, në total të dhënat e Financave tregojnë se numri i bizneseve që kanë kërkuar hua pranë bankave arrin në total në 303 kërkesa, me një vlerë totale prej 11.7 miliardë lekësh. Nisur nga interesi i lartë i sipërmarrjeve për të përfituar nga kjo skemë lehtësuese, qeveria vendosi t’u japë më shumë kohë bizneseve që të aplikojnë, duke shtyrë afatin deri në fund të muajit shtator.

Sa i takon garancisë së parë sovrane me vlerë 11 miliardë lekë, e cila u mundësonte kompanive që të merrnin kredi vetëm për të paguar pagat e punonjësve deri në 3 muaj, të dhënat zyrtare të Financave tregojnë se kanë arritur ta përfitojnë në total 554 biznese, një vlerë totale prej 6.4 miliardë lekësh.

Instrumentet e garancisë sovrane, ajo për paga dhe për likuiditet u akorduan nga qeveria në kuadër të masave mbështetëse për bizneset për të kapërcyer krizën e koronavirusit, ku shumë prej bizneseve qëndruan të mbyllur për 3 muaj për shkak të pandemisë.

 

 

 

 

Top Channel