Instituti Kombëtar i Statistikave ka bërë me dije mesditen e së enjtes se në tremujorin e dytë të këtij viti, ekonomia greke u tkurr me 15.2%, një shifër rekord madje më e lartë se në vitet e para të fillimit të krizës financiare greke në vitin 2010.

Sipas të dhënave të tjera të publikuara, rënia e konsumit në këtë tremujor ka shkuar në 10,1% , investimet kanë pësuar rënie thuajse në të njëjtin nivel, eksportet janë tkurrur me 32% , ndërsa importet me 17,2%.

Qeveria greke deklaron se ky recension i ekonomisë ka ardhur si rezultat i tre muajve të karantinës në vend si masë për përballimin e pandemisë.

“Siç jeni në dijeni, tremujori i dytë në kuadrin e zbatimit të masave të karantinës është tremujori me recensionin më të thellë. Vlerësimet sa i përket gjithë vitit do duken kur të shohim dhe të dhënat e tremujorëve të tjerë para se të dalin edhe rezultatet e recensionit të përgjithshëm vjetor që pritet të jetë i madh, por që vjen si rezultat i këtij fenomeni botëror”, u shpreh Stelios Petsas, zëdhënës i qeverisë.

Ndërkohë Athina ndjek me shqetësim rritjen e numrit të vdekjeve dhe të të prekurve nga Covid-19 në prag edhe të hapjes së shkollave në 14 shtator. Vetëm në mëngjesin e së enjtes humbën jetën tre persona dhe numri i viktimave nga pandemia ka shkuar në total në 279, numri i rasteve në gati 11000 , 38 pacientë ndodhen në terapi intensive.

Gjithashtu ka shqetësim të madh për infektimin e shumë personave në një azil pleqsh në Marusi të Athinës, të mbi 15 punëtorëve në Veria, në një fabrike të përpunimit të frutave, por edhe për rastet në kampin e refugjatëve në Moria të ishullit Lesvos. Ndërkohë edhe tre ministra të qeverisë, midis tyre i Financave dhe i Marinës Detare, kanë hyrë në karantinë, pasi kanë pasur kontakte me persona që janë gjetur orët e fundit pozitive nga Covid-19 dhe për këtë arsye është boshatisur deri në zbatimin e protokollit përkatës për dezinfektim gjithë ndërtesa e Ministrisë së Financave.

Goditje për turizmin grek që është gjunjëzuar sivjet nga pandemia është edhe vendimi i fundit i kompanisë ajrore TUI, që ka ndërprerë përkohësisht fluturimet për në zonën turistike Langana të Zakinthos nga Britania, pasi klientët e saj nuk duan të zbatojnë masat për koronavirusin. Në të njëjtën kohë, masa të reja për udhëtarët që vijnë nga Greqia kanë marrë edhe autoritetet skoceze dhe uellsiane, pas zbullimit të dhjetëra rasteve me Covid-19, që u gjetën në një fluturim nga ishulli turistik grek i Jonit drejt Londrës.

Aleksandër Marku

Top Channel