Mbrëmjen e së mërkurës, këtu në Sanatoriumin e Tiranës, një 65-vjeçar nga Klosi i dha fund jetës së tij duke u hedhur nga kati i katërt i spitalit.
Prej dy ditësh ai ishte shtruar në pavionin e Covid-19, ku po trajtohej nga koronavirusi. Sipas burimeve nga Sanatoriumi, ai nuk ishte në gjendje të rënduar shëndetësore nga virusi, por dyshohet se në kushte të rënduara psikologjike ka marrë këtë vendim ekstrem për jetën e tij.
Këtë të enjte, Spitali i Sanatoriumi doli me një deklaratë lidhur me ngjarjen e rëndë.
Ky është rasti i dytë i vetëvrasjes që ndodh në këtë spital, brenda një kohe të shkurtër. Tre javë më parë, një 29-vjeçar nga Durrësi u hodh nga kati i tretë i Sanatoriumit, në gjendje të rënduar psikologjike. Edhe ai po trajtohej nga koronavirusi.
Të afërmit e pacientëve jashtë spitalit, çdo ditë qëndrojnë në ankth për gjendjen e familjarëve të tyre brenda mureve të Sanatoriumit.
Dy rastet e vetëvrasjes nga të sëmurët me Covid-19 në Sanatoriumin e Tiranës janë thirrje alarmi për ndihmën që iu duhet dhënë të prekurve nga ky virus. Ata që e kalojnë në shtëpi dhe ata që kurohen në spital, kanë nevojë urgjente për mbështetje psikologjike dhe jo vetëm për ilaçe. Të sëmurët me Covid-19 nuk duhet të stigmatizohen, por të ndihmohen.
Top Channel