Meksika, vendi ku koronavirusi po vret më shumë se kudo tjetër punonjës të shëndetësisë

03/09/2020 14:15

Meksika është vendi ku kanë humbur jetën më shumë punonjës të shëndetësisë si pasojë e koronavirusit të ri (COVID-19).

Në një raport të publikuar nga organizata Amnesty International thuhet se gjatë pandemisë në Meksikë kanë humbur jetën 1.320 punonjës të shëndetësisë ndërsa në SHBA 1.077, në Britani të Madhe 649 dhe në Brazil 634.

Që nga shfaqja e pandemisë e deri më tani në Meksikë kanë rezultuar pozitiv në testin e koronavirusit 97.632 infermierë, mjekë dhe punonjës të tjerë të shëndetësisë. Nga këto persona të infektuar, 42 përqind të tyre e përbëjnë infermierët, 27 përqind mjekët dhe 31 përqind punonjës të tjerë të shëndetësisë.

Zyrtarët meksikanë shprehen se të gjithë punonjësit e shëndetësisë e kanë kryer një herë testin, por që kjo është e pamjaftueshme për personelin shëndetësor, i cili lufton prej muajsh me COVID-19 deklarohet në raportin në të cilin thuhet se “ka raporte që kryesisht punonjësit sanitarë nëpër spitale janë të pambrojtur kundër infeksioneve”.

Steve Cockburn, kreu për ekonominë dhe drejtësinë sociale në Amnesty International e ka cilësuar si “një krizë në përmasa tronditëse” që në mbarë botën për shkak të COVID-19 kanë humbur jetën mbi 7 mijë punonjës të shëndetësisë.

“Çdo punonjës i shëndetësisë ka të drejtë të jetë i sigurtë derisa kryen punën e tij dhe është një skandal që kaq shumë persona kanë paguar një kosto të tillë përfundimtare”, tha Cockburn duke bërë thirrje se nevojitet një bashkëpunim ndërkombëtar për të siguruar që çdo punonjës i shëndetësisë të ketë pajisje të mjaftueshme mbrojtëse.

Punonjësit e shëndetësisë kanë zhvilluar protesta në Meksikë për shkak se pajisjet personale mbrojtëse janë të pamjaftueshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA