Angela Merkel po përballet me presione në rritje për të rishikuar planet e gazsjellësit Nord Stream 2, i cili do të çojë gaz nga Rusia në Gjermani, pasi vetë kancelarja gjermane e pohoi se kritiku i Kremlinit, Alexei Navalny u helmua me një agjent nervor të stilit sovjetik.
Merkel tha të mërkurën se Navalny, i cili po trajtohet në një spital të Berlinit ishte viktimë e një përpjekjeje për vrasje me agjentin nervor Novichok dhe kërkoi një shpjegim nga Rusia. Moska e mohon përfshirjen në incident, ndërsa Ministria e Jashtme ruse u shpreh se pohimi i Gjermanisë nuk ishte mbështetur nga prova.
Vendet perëndimore kanë dënuar sulmin ndaj Navalny dhe shumë politikanë gjermanë bëjnë thirrje për një përgjigje të ashpër.
“Ne duhet të ndjekim politikë të rreptë, duhet të përgjigjemi me gjuhën e vetme që Vladimir Putin kupton dhe ajo është shitja e gazit,” i tha radios gjermane Norbert Roettgen, kreu i komitetit parlamentar të punëve të jashtme të Gjermanisë.
“Nëse tubacioni Nord Stream 2 përfundon tani, ky do të ishte konfirmimi dhe inkurajimi maksimal për Putinin për të vazhduar këtë lloj politike,” është shprehur ai.
Nord Stream 2 është llogaritur të dyfishojë kapacitetin e tubacionit ekzistues Nord Stream 1 në transportimin e gazit direkt nga Rusia në Gjermani. I drejtuar nga kompania ruse Gazprom dhe partnerë perëndimorë, projekti tashmë konsiderohet i përfunduar në 90% të masës dhe pritet të hyjë në funksionim nga fillimi i vitit 2021.
Top Channel