Hashash me domatet në oborr/ Tiranë, nëna e tre djemve të arrestuar tregon pse djemtë mbollën drogë

03/09/2020 15:20

Kushtet e vështira të shkaktuara nga pandemia e Covid-it po sjellin një fenomen të ri, ku qytetarë që në të shkuarën e tyre nuk kanë patur lidhje me krimin, po shfrytëzojnë bahçet e shtëpisë, në të cilat së bashku me perimet e stinës kultivojnë edhe kanabis sativa.

Këtë mënyrë ka përdorur edhe Agron Korriku këtu në fshatin Ahmetaq , që u bë shkak që së bashku me të, të arrestohen edhe dy vëllezërit e tij për kultivimin e  14 rrënjëve kanabis. Ai mbeti i papunë nga Covid-i sipas të ëmës, Xhumes.

“Ne nuk  e dinim çfarë ishte, bashkë me domatet kishte mbjellë edhe atë bimën. Për një thes miell e ka bërë”, rrëfehet e ëma.

Ndërkohë 41-vjeçari deklaroi në gjykatë se kishte mbjellë 14 rrënjë kanabis së bashku me perimet e stinës pasi mbeti pa punë nga covidi.

Burime të Top Channel pohojnë se për 2020-ën janë asgjësuar  106 mijë rrënjë kanabis në të gjithë vendin, ndërsa operacionet vijojnë deri në fund të vjeshtës edhe kundër parcelave edhe ndaj bahçeve.

Top Channel