Fier/ Prezantimi i njësisë ‘Shqiponja’, Lleshaj: Është përgjysmuar numri i vrasjeve në Shqipëri që nga 2013

03/09/2020 13:30

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj zhvilloi një vizitë në qarkun Fier ku prezantoi strukturat e reja të shtuara në këtë drejtori vendore, si dhe bëri një paraqitje sintetike të shifrave të rendit dhe sigurisë duke nënvizuar përmirësimin e tyre.

Ai u shpreh gjithashtu për investimet e rëndësishme që janë bërë vitet e fundit për përmirësimin e burimeve njerëzore dhe infrastrukturës e mjeteve në dispozicion të Policisë së Shtetit.

Lleshaj u shpreh se gjatë këtyre viteve është rritur me 17 % numri i punonjësve të organikën e policisë.

Fjala e plotë e ministrit Lleshaj:

I nderuar z. Kryetar i Bashkisë Fier,
po ju drejtohem juve meqenëse jemi këtu në shtëpinë tuaj dhe bashkë me ju, të gjithë kryetarëve të bashkive që janë të pranishëm,
I nderuar z. Prefekt,
Z. Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Fier,
Përfaqësues dhe drejtues të institucioneve të tjera,

Është përherë, ose ҫdo ditë e më shumë shtohen arsyet për të ardhur në Fier, edhe për kënaqësi, jo vetëm për punë, sepse përditë e më tepër, Fieri ndryshon dhe bëhet i bukur falë punës dhe angazhimit tuaj.

Të gjithëve ju përgëzoj për këtë punë, që na jepni mundësinë, na jepni edhe një adresë të re për të shijuar, krahas shumë adresave të tjera që Shqipëria po i shton përditë.

Sot jemi mbledhur për një arsye të thjeshtë, të vogël në dukje, por po ta shohim në kontekstin e mbarë vendit është e madhe. Prezantojmë para publikut një Njësi të re, një risi për Policinë e Qarkut Fier, në kuadër të një projekti të madh, i cili parashikon që në të gjitha Drejtoritë Vendore të Policisë në mbarë vendin, të shohen njësi të posaҫme operacionale në kuadër të një shtimi të konsiderueshëm organik të numrit të Policisë së Shtetit, i cili ka arritur në nivelin më të lartë.

Ky grafik pas meje tregon se Policia e Shtetit ka pësuar një rritje të dukshme që nga viti 2013 në numër, gjë që është edhe reflektuar në përmirësimin e shumë parametrave të sigurisë, ose të gjithë parametrave të sigurisë.

Është paraqitur këtu vetëm një shigjetë e kuqe në rënie, që kemi 47 % të vrasjeve më pak, pra është përgjysmuar numri i vrasjeve në Shqipëri që nga viti 2013. Ndërkohë që kemi shtuar 17 % numrin e Policisë. Pra, është kjo ajo që dua të theksoj, së pari.

Për sigurinë dua të investojmë më shumë. Siguria ka një ҫmim, të cilin ne jemi të ndërgjegjshëm dhe të gatshëm për ta paguar. Për arsye se i gjithë ky ҫmim shkon në dobi të qytetarëve.

Është një studiues i madh Abraham Maslow, i cili flet për nevojat njerëzore, ka një teori të tijën dhe ai i rendit nevojat njerëzore në kuadër të një piramide me pesë kate ku, në bazën e saj janë nevojat biologjike, fiziologjike.

Nevoja se trupi njerëzor i kërkon dhe Maslow thotë se pa u plotësuar këto nevojat biologjike, fiziologjike, nevoja për të ngrënë, për të pirë, për t’u riprodhuar, për t’u ngrohur, për t’u freskuar e të tjera me radhë, nuk lindin nevoja të tjera.

Por nëse këto plotësohen lindin nevojat e katit të dytë që janë nevojat për siguri. Pra themi se siguria është ndër nevojat themelore, bazike të njeriut, dhe vetëm kur plotësohen nevojat e sigurisë, njeriut i lindin nevojat e katit të tretë që janë nevojat e përkatësisë, nevojat sociale, nevojat për t’u organizuar, për t’u shoqëruar, për t’u anëtarësuar, për të krijuar familje e të tjera me radhë.

Pastaj vazhdon Maslow me katin e katërt, i cili ka lindur kur plotësohen nevojat e katit të tretë, që janë nevojat e njeriut për t’u shpalosur, për të krijuar reputacion, për të krijuar famë, për t’u njohur, për t’u pranuar, për t’u vlerësuar e të tjera me radhë.

Kur plotësohen edhe këto nevojat e katit të katërt, lindin nevojat e katit të pestë, ose nevojat e njeriut për të dhënë, për t’u dhënë të tjerëve. Deri në katin e katërt ka nevoja defiҫitare, ka nevoja që kërkon, ndërsa ky kati i pestë ku janë pak njerëz që mbërrijnë atje është kati ku njerëzit japin.

Dua të them e bëra këtë pak teori, megjithëse nuk është koha për teori, për të thënë që nevoja për siguri është nevojë bazike dhe investimi në siguri është investim bazik, nuk është shpenzim, është investim bazik, i cili mundëson që pastaj të plotësohen ato ambiciet e kateve të tjera. Për zhvillim, për kulturë, për sport, për arsim, për ekonomi e të tjera e të tjera.

Dua të them që është rast shumë pozitiv, fakti që shtohen pesëqind ose mbi 500 vende në organikën e policisë, të cilat siҫ thashë janë të shpërndara në bazën e një skeme proporcionale në të gjitha drejtoritë vendore. Dhe në tërësi ne arrijmë tani në një shtesë prej 1700 vendesh të reja organike nga viti 2013, prej të cilave mbi 700 janë të këtyre dy viteve të fundit. Dhe ku kanë shkuar këto shtesa? Shembulli që japim sot për njësitë e posaçme operacionale në drejtoritë vendore është vetëm një.

Po krahas këtyre ne kemi ndërtuar edhe një numër të konsiderueshëm njësish të specializuara në nivel qendror, të cilat mbulojnë sektorë të veçantë ku kërkohet nivel i lartë specializimi.

Kemi krijuar Njësinë E, e cila është njësia e luftës kundër krimit ekonomik, që ka për mision të luftojë krimin ekonomik, financiar, pastrimin e parave dhe gjithçka kriminale që lidhet me paratë.

Pastaj kemi krijuar Njësinë K, e cila është njësia e kërkimit të personave, që i janë shmangur drejtësisë. Njësi shumë e specializuar, tashmë e anëtarësuar në rrjetin europian të njësive homologe me mision për të kërkuar, gjetur dhe kapur dhe vënë para drejtësisë, të gjithë ata persona, që i janë shmangur asaj në harkun e tre dekadave të fundit.

Për fat të keq nuk janë pak personat, që janë shmangur që deri diku kanë mbetur dhe të harruar nga drejtësia, por që tashmë janë nën shënjestrën e një skuadre shumë të specializuar, shumë të motivuar dhe të ndërlidhur në kuptimin ndërkombëtar, me qëllim që të gjithë ata që kanë ende një llogari ende të pa mbyllur me drejtësinë e këtij vendi ta shlyejnë atë.

Pastaj kemi krijuar njësinë I, është njësia e informacionit ose inteligjencë e policisë financiare, e cila mbulon nevojën e policisë për më shumë inteligjencë. Ne jemi të parimit që policia shqiptare si dhe policitë e tjera, duhet të jenë një polici që të të bazohet, udhëhiqen nga inteligjenca. Për këtë arsye një njësi e tillë e specializuar është vënë në shërbim të saj për t’i dhënë më shumë inteligjencë.

Ndërkohë që një njësi tjetër është Njësia C, e cila adreson luftën kundër krimit kompiuterik dhe kibernetik.

Një fenomen krejt i ri, por shumë prezent, ndonëse askush nuk e sheh e nuk e percepton fizikisht dhe ku ndodh një pjesë e rëndësishme e krimit. Dhe ne i kemi adresuar kësaj fushe kriminale një aset të specializuar, i cili do të vazhdojë të specializohet dhe perfeksionohet me qëllim që edhe në hapësirën virtuale ne të jemi prezent me profecionistë, të cilët do ta bëjnë të vështirë dhe të pamundur suksesin e veprimtarisë kriminale në këtë domen.

Dhe njësia tjetër, e lashë për në fund por s’është më e pa rëndësishme, është njësia Operacioni Forca e Ligjit, e cila është njësi që po jep goditje frontale dhe kapitale ndaj aseteve kriminale të akumuluara përmes veprimtarisë kriminale në gjithë vendin rezultatet e së cilës janë shumë inkurajuese dhe besoj fort që përmes OFL ne do të arrijmë të shterrojmë një burim të fuqishëm të krimit, burim i cili ka financuar dhe mbështetur krimin.

Dhe me të gjitha këto, ne besojmë që i kemi dhënë qytetarëve instrumente shumë të rëndësishëm për sigurinë e tyre.

Por krahas shtimit të njerëzve, të kapaciteteve apo të njësive, ne kemi marrë masa për modernizimin e këtyre kapaciteteve, duke shtuar cilësinë e burimeve njerëzore në radhë të parë, duke hapur kanalet e pranimit nga universitetet për në Policinë e Shtetit, gjë që ka sjellë prurje jashtëzakonisht të rëndësishme, cilësore, ekselente në këtë polici nga universitetet e vendit.

Kemi rinovuar dhe do të vazhdojmë me intensitet për ta rinovuar flotën e mjeteve në shërbim të Policisë së Shtetit. Këtu mbrapa meje keni vetëm pak prej tyre. Me automjete cilësore, me automjete moderne, të shtrenjta që në disa raste kushtojnë po aq sa makina e ministrit dhe jo më pak se ajo.

Kemi investuar dhe do të vazhdojnë një program të madh investimi në teknologji në shërbim të policisë, kryesisht në inteligjencë, në funksion të policisë kriminale, asaj rrugore, kufitare e kështu me radhë.

Por në fund të herës siguria nuk është thjesht objektive; këto janë gjëra objektive, shtimi i njerëzve, i kapaciteve, i flotës, modernizimi i saj, ulja e kriminalitetit, etj., janë gjëra të karakterit objektiv që maten me numra. Por siguria ka edhe diçka të rëndësishme që është – si perceptohet ajo!

Siguria nganjëherë përkufizohet si mungesë e frikës. Ky do të jetë qëllimi ynë që, përveçse të ulim objektivisht krimin, duhet që të eliminojmë frikën, e cila nuk është përherë objektive, është edhe subjektive. Është për të ardhur mirë që edhe në këtë fushë arritjet janë pozitive, madje inkurajuese. Dje më ka rënë në dorë një studim i fundit i një institucioni prestigjioz që zhvillohet nën përgjegjësinë e qeverisë suedeze në kuadër të programit të “Policimit në Komunitet”, – i cili mat performancën e policisë, por mat edhe perceptimin e qytetarëve në raport me punën e saj, në mënyrë të pavarur dhe jo për llogari të qeverisë shqiptare, por për llogari të një qeverie partnere, mike, – i cili thotë që në Shqipëri, qytetarët, mbi 60 % e tyre e vlerësojnë pozitivisht policinë e tyre, që është një ndër nivelet më të larta historike për nivelin e vlerësimit publik ndaj Policisë së Shtetit, qoftë në nivel Kombëtare apo qoftë edhe në nivel vendor.

Ndërkohë që 75 % e qytetarëve të këtij vendi shprehen se ndihen të sigurtë, edhe kur janë natën në rrugët e qytetit apo të fshatit të tyre. Që është prapë një indikator pozitiv, inkurajues, që na thotë që Policia është e verësuar dhe qytetarët e ndiejnë sigurinë e shtuar për jetën e tyre. Po të njëjtat gjëra i njëjti studim flet që 63 % e qytetarëve mendojnë që kriminaliteti në zonën ku banojnë është i ulët, qoftë në nivelin e Tiranës, madje është bërë në Tiranë dhe në nivelin kombëtar.

Dhe këto besoj janë disa indikatorë, që na inkurajojnë ne si struktura përgjegjëse për rendin dhe sigurinë publike, inkurajojnë Policinë e Shtetit për të vazhduar me konsekuensë në këtë drejtim.

Së fundi, dy fjalë për vajzat dhe djemtë e rinj, që sot i janë bashkuar policisë në kuadër të kësaj strukture të posaҫme, dua që së pari t’u uroj atyre mirëseardhjen në Policinë e Shtetit, edhe njëherë, në këtë cilësi në këtë uniformë, megjithëse kur kanë mbaruar shkollën ua kam thënë, por atëherë keni patur tjetër uniformë. Sot ua them me këtë uniformë dhe këtu në Fier.

Besoj që edhe në emër të të gjithë të pranishmëve kam të drejtë t’ju them edhe mirë se keni ardhur në Fier dhe besoj që do ta gjeni në Fier atë kënaqësinë profesionale të punës tuaj.

Dua t’ju them që jeni në sytë e opinionit publik. Dua t’ju them që ju kontribuoni edhe në këtë preceptim që opinioni publik ka për Policinë e Shtetit. Dhe është në dorën tuaj që këto shifra inkurajuese që sapo përmenda, t’i rrisni më tej, sepse qytetarët tanë e meritojnë, por edhe ju e meritoni. Dua t’ju them që forca juaj nuk janë vetëm krahët, nuk janë vetëm muskujt. Forca juaj është inteligjenca juaj, forca juaj është marrëdhënia me qytetarët, forca juaj është ligji.

Ndërsa dobësia juaj mund të jetë prishja e marrëdhënieve me qytetarët dhe shpërfillja e ligjit. Prandaj duhet që ta keni shumë të qartë që jeni në një vëzhgim të fortë. Keni një besim të madh mbi veten tuaj, një përgjegjësi të madhe mbi supet tuaja. Dhe ne kemi besim të plotë që ju do të jeni në lartësinë e këtij besimi.

Ju uroj suksese juve, familjeve tuaja atyre që kanë, dhe falenderoj të gjithë të pranishmit për prezencën sot këtu. Faleminderit!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA