Plagosja dje në Shkodër e Tonin Larushkës/ Arrestohet një person që ka lidhje me ngjarjen

02/09/2020 18:06
Ilustrim

Policia ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e ndodhur dje më datë 01.09.2020 ku në vendin e quajtur “Prek Cali”, ka mbetur i plagosur me armë zjarri shtetasi Tonin Larushka. Policia thotë se ka vënë në pranga një shtetas të implikuar në këtë ngjarje.

Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera, u bë ndalimi i shtetasit Z. L., 36 vjeç, banues në Shkodër.

Nga hetimet ka rezultuar që ky shtetas pas ngjarjes ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi T. L., ka qëlluar me armë gjahu, në drejtim të mjetit të autorit, i cili gjendej i parkuar në rrugicën para banesës. Si pasojë e të shtënave është lënduar lehtë nga një saçme shtetasi B. D., 33 vjeç, banues në Shkodër, i cili pas mjekimit të marrë në Spitalin Rajonal Shkodër është larguar në banesë.

Shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e gjahut, të cilën shtetasi Z. L., e kishte me lejen përkatëse.

Vijon puna për kapjen e shtetasit L. K., i dyshuar si autori i plagosjes me armë zjarri të shtetasit T. L.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë me prova ligjore të kësaj ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Plagosja e lehtë”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Kanosja”.

Top Channel