Trembëdhjetë burra dhe një grua u hodhën në gjyq të mërkurën për sulmet e vitit 2015 në një gazete satirike dhe në një supermarket në Paris që shënoi fillimin e një vale dhune nga grupi Shteti Islamik në Evropë.
Shtatëmbëdhjetë veta, dhe tre persona të armatosur humbën jetën gjatë tre ditëve të sulmeve në janar të vitit 2015.
Personat që po gjykohen në Francë akuzohen për blerjen e armëve, makinave dhe ndihmë logjistike. Shumica thonë se kishin menduar se po ndihmonin në planifikimin e një krimi të zakonshëm.
Tre veta, përfshirë të vetmen grua të akuzuar, po gjykohen në mungesë pasi u larguan për t’iu bashkuar Shtetit Islamik.
Sulmet nga 7 deri më 9 janar 2015, filluan gjatë një mbledhjeje të redaksisë së revistës Charlie Hebdo, zyrat e së cilës ruheshin nga policia që nga botimi i karikaturave të profetit Muhamed vite më parë.
Vëllezërit Sherif dhe Said Kouachi, vranë 12 persona përpara se të rrëmbenin një makinë dhe të iknin.
Ata pretenduan të kenë kryer sulmet në emër të al-AQaidas.
Dy ditë më vonë, në prag të Sabatit Hebre, Amedy Coulibaly sulmoi një supermarket, duke vrarë katër pengje në emër të grupit Shteti Islamik, ndërsa vëllezërit morën kontrollin e një zyre shtypi jashtë kryeqytetit francez.
Sulmuesit u vranë atë ditë nga policia.
U deshën disa ditë që hetuesit të kuptonin se Coulibaly ishte gjithashtu përgjegjës për vdekjen në dukje të rastësishme të një policeje të re.
U deshën javë të tjera për të zbërthyer rrjetin e kriminelëve të vegjël dhe miqve që lidhnin tre sulmuesit.
Ndërkohë, gruaja e Coulibalyt ishte nisur për në Siri me ndihmën e dy vëllezërve gjithashtu të akuzuar në këtë çështje.
Shumica e 11 personave të paraqitur në gjykatë këmbëngulin se ndihma e tyre në vrasjet masive ishte e paqëllimshme./VOA/
Top Channel