Presidenti Francës, Emmanuel Macron, qortoi një gazetar të së përditshmes Le Figaro, i cili raportoi për takimin e tij me Mohammed Raad, liderin e grupit parlamentar të Hezbollahut, gjatë vizitës së tij të djeshme në kryeqytetin e Libanit, Bejrut.
Georges Malbrunot, korrespodent për gazetën Le Figaro, raportoi për takimin Macron-Raad gjatë vizitës së tij në Bejrut të hënën dhe të martën dhe ndau detaje mbi përmbajtjen e takimit, duke cituar një burim.
Në lajmin e Le Figaro-s, Macron u raportua ti ketë thënë Raad-it: “Dua të punoj me ju, por a mund të vërtetosh se jeni libanez? Të gjithë e dinë që ju keni një agjendë të bazuar në Iran. A i doni libanezët, po ose jo? Shkoni në shtëpi, lëshojeni Sirinë dhe Jemenin dhe bëni punën tuaj këtu për të formuar shtet, sepse ky shtet do të jetë në dobi të familjeve tuaja”.
Lajmi gjithashtu kritikoi presionin e Macron-it ndaj politikanëve libanezë për të formuar një qeveri.
Në pamjet e realizuara dje nga televizioni LCI dhe të publikuara sot, Macron vërehet duke ia ngritur zërin gazetarit Malbrunot në mes të turmës.
“Në aspektin e ndjeshmërisë së temës, ajo që keni bërë është e papërgjegjshme. Është e papërgjegjshme për Francën dhe palët relevante këtu dhe kundër etikës gazetareske. Ju e dini që unë mbroj gazetarët, gjithmonë do t’ju mbroj. Po ju flas sinqerisht. Ajo që bëtë është e gabuar dhe joprofesionale”, shprehet Macron.
Menjëherë më pas, Macron largohet pa i dhënë të drejtë fjale gazetarit.
Ndërkaq, në një deklaratë për mediat në shenjë reagimi, Malbrunot tha se “U habita shumë nga ashpërsia e këtij sulmi të papranueshëm”.
Në një deklaratë për shtyp mbi këtë çështje nga Pallati Elysee, thuhet se Macron akuzoi Malbrunot-in se nuk ka ofruar mundësinë për të korrigjuar disa informacione në lidhje me raportimin në fjalë./AA
Top Channel