Në zgjedhjet parlamentare te vitit 2021, për herë të parë shqiptarët do të votojnë jo vetëm për partinë, por edhe për kandidatin e tyre të preferuar për deputet.
Teksa afatet ngushtohen Presidenti është vënë në lëvizje për të caktuar një datë zgjedhjesh, por partitë politike nuk janë gati, pasi nuk kanë rënë ende dakord nëse listat do hapen plotësisht apo në mënyrë të pjesshme.
“Unë kam kontaktuar edhe me juristë dhe nuk dinë të ma detajojnë si do jetë, duhet patjetër të presim sesi do të detajohet kodi zgjedhor në mënyrë që edhe ne të dimë të ndërmarrim veprimet tona”, shprehet në një intervistë për Top Channel kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka.
Socialistët parashikojnë të mbajnë të mbyllur 1/3 e listave për të respektuar kuotat gjinore. Vendimmarrja finale mesa duket i takon mazhorancës pasi në pritje të tryezës politike demokratët lënë një shteg të hapur për konsensus.
“Kemi propozuar hapjen 100% të listave, megjithatë jemi të hapur që të arrijmë marrëveshje lidhur me këtë pikë me palën tjetër”, deklaroi nënkryetari i Partisë Demokratike Edi Paloka.
Aleatët e Bashës më shumë sesa listat i shqetëson ndalimi i koalicioneve parazgjedhore. Demokratët paralajmërojnë se kjo pikë hedh në erë marrëveshjen politika, ndërsa krerët e partive aleatët duket se kanë një skenar B, për të dalë me një listë të përbashkët.
“Sesi do jenë, do regjistrohen në siglen e partive respektive në KQZ, pastaj do jetë lista pa sigla këtë akoma nuk e dimë”, tha për Top Channel kreu i PAA, Agron Duka.
“Ekzistojnë të gjitha mënyrat, të gjitha format, të gjitha skemat që ne të përballemi më këtë mazhorancë”, paralajmëron në intervistën e dhënë për Top Channel demokristiani Nard Ndoka.
“Presim të mbarojë ligji, në në cdo rast do tentojme ti maksimalizojmë votat”, u shpreh për Top Channel kreu i LZHK Dashamir Shehi.
Me nisjen e sesionit të ri parlamentar, mazhoranca dhe opozita joparlamenare pritet te ulen për të rënë dakord jo vetëm se si dhe sa do hapen listat por edhe për fletën e re të votimit, për numrin e kandidatëve të cilët do të renditen ne fletën e votimit dhe sasa prej tyre do te ketë të drejtën një zgjedhës të përzgjedh.
Elda Menga
Top Channel