Përveç figurave shtetërore kosovare, hetuesit e Hagës, gjatë së mërkurës kanë intervistuar edhe një person të rëndësishëm rajonal.
Njërin nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aktualisht Kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin.
Ahmeti është intervistuar nga Prokurorët e Gjykatës Speciale në cilësinë e dëshmitarit.
Intervistimi i tij në zyrat e Eulex-it në Prishtinë ka zgjatur 8 orë por, i njëjti nuk është paraqitur para medieve.
Megjithëkëtë, anëtarë të partisë kanë konfirmuar se intervistimi i tij do të vazhdojë edhe gjatë së enjtes.
Përveç si njëri ndër themeluesit e UÇK-së, Ahmeti në vitin 1998 në fillimet e luftës në Kosovë, u zgjodh anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Më pas në vitin 2001 Ahmeti u zgjodh Përfaqësues Politik i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoninë e Veriut.
Ahmeti është në mesin e rreth 270 personave të ftuar nga Haga për t’u marrë në pyetje, një pjesë e të cilëve kanë qenë eprorë të lartë ushtarak e ushtarë të zakonshëm.
Top Channel