Një vit i ri shkollor si asnjë tjetër i pret fëmijët e shumë vendeve në këto kohë pandemie. 12.4 milionë të mitur në Francë i rikthehen mësimit pas pushimeve të gjata verore.
Presidenti Emmanuel Macron theksoi se sfidat mbeten të mëdha, por i bëri thirrje të gjithëve që thjesht të tregojnë të njëjtën ndjenjë përgjegjësie si muajt e fundit. “ Mos u frikësoni”, ishte mesazhi që I përcolli prindërve ministri i arsimit, Jean-Michel Blanquer, ndërsa pas rritjes së beftë javën e kaluar, vendi këtë të hënë shënoi një rënie të infektimeve të reja.
Në Rusi, 1 shtatori shënon tradicionalisht fillimin e shkollës dhe dita e sotme nuk përbën ndonjë ndryshim. Vetëm se nuk do të mbahen kremtimet e përhershme tradicionale, teksa numri i infektimeve atje po i afrohet një milionëshit. Në Itali, do të ketë një metër distancë mes nxënësve në klasa, ose mbulim të fytyrës aty ku largësia nuk është e mundur.
Kapaciteti i transportit publik është rritur në 80% për t`i mundësuar fëmijëve rikthimin nëpër klasa. Në Belgjikë, 1.2 milionë fëmijë i kthehen mësimit mes rregullave qe diktojnë ajrosjen e rregullt të ambjenteve dhe maskat të detyrueshme për nxënës e mësues. Fëmijëve në Poloni u është vënë si detyrim larja e duarve. Por ndërsa në Britaninë e Madhe ka nisur rikthimi i nxënësve nëpër klasa, 17% e prindërve thonë se nuk do t`i cojnë fëmijët e tyre në shkollë. Edhe pse frika e koronavirusit është fashitur në qytetin ku nisi gjithçka, Wuhan të Kinës, 1.4 milionë nxënës atje ulen në bankat e shkollës mes një serie masash parandaluese, që përfshijnë kontrollin e temperaturës në hyrje.
Top Channel