Njoftimi i kreut të FDA-së amerikane Stephen Hahn se po kërkojnë shkurtimin e procedurave të prodhimit të një vaksine për Covid-19, ka vënë në alarm shkencëtarët vendas.
The Guardian dhe Financial Times shkruajnë se njeriu që drejton Administratën e Medikamenteve dhe Ushqimeve kërkon t`i bëjë një favor Donald Trumpit, duke i krijuar mundësinë që ta njoftojë krijimin e vaksinës “made in USA” përpara zgjedhjeve të nëntorit, nga të cilat republikani shpreson të marrë një mandat të dytë presidencial.
Hahn u shpreh se është gati të autorizojë përpara kohe fazën tre të vaksinës dhe sqaroi se për këtë, do t`i referohet një kriteri të ndjekur prej shumë kohësh në mjekësi: të zgjedhësh në bazë të faktit që përfitimet i kapërcejnë rreziqet. Shumë ndërkohë kujtojnë kritikat që mbërritën nga e gjithë bota ndaj vaksinave të Rusisë dhe Kinës, për nxitimin e tyre dhe mungesën e besueshmërinë që rrethon produkte të realizuara duke kapërcyer fazën 3 të testimit.
Këta zëra kujtojnë rrezikun që mund të bartë një hap i tillë si dhe dëmet potenciale që mund t`i sillnin organizmit efektet anësore apo një reagim i papritur imunitar. Sipas tyre në rast dështimi, mund të minohet besimi i qytetarëve edhe tek vaksina e tjera.
Top Channel