Athina është përgjigjur përsëri me një gjuhë të ashpër ndaj Ankarasë e cila ka shtyrë edhe dhjetë ditë të tjera Navtex-in e saj për bllokimin e një zone detare pranë ishullit grek Kastelorizo ku do të kryejë kërkime për gaz natyror anija turke “Oruc Reis”.
Greqia nuk shantazhohet,ka deklaruar ministri i Jashtëm Dhendias, pasi qeveria greke është përgjigjur për një navtex të ri për të njëjtën zonë, ndërsa edhe zëdhënësi i qeverisë ka theksuar në televizionin publik grek se “Turqia vazhdon të përmbushë me besnikëri rolin e saj si një faktor i paqëndrueshmërisë në rajon, duke injoruar thirrjet për dialog dhe duke përshkallëzuar sfidat e saj.”
“Ne kemi një politikë të qartë në tryezë, kemi një listë me sanksione dhe mesazhi ndaj Turqisë është tepër i qartë-Ose një zbutje me vepra të tensionit,ose sanksione”, tha Petsas.
Komisioni Europian ka vazhduar edhe mesditën së martës të kërkojë zbutje të tensioneve dhe të ripërsërisë qëndrimin e Brukselit në konfliktin greko-turk për përkatësinë e zonave detare në Medheun lindor të pasura me gaz e naftë.
“Mesazhi është i qartë, afatet dhe gjithashtu masat janë të qarta dhe shpresojmë që kjo të merret parasysh nga partnerët dhe miqtë turq dhe të fillojnë të punojnë në përputhje me rrethanat në mënyrë që të mos duhet të kalojmë në rrugën alternative të masave kufizuese”, tha Peter Stano.
Nga ana e tij Presidenti Erdogan është përgjigjur me një fjalim të fundit se është e padrejtë të përpiqesh te mbash Turqinë të mbyllur vetëm në vijën e saj bregdetare, pa të drejta për detin, pavarësisht nga shtrirja e saj e madhe , për shkak të një ishulli prej 10 kilometrash katrorë. Ndërsa ka kritikuar përsëri vendet europiane që i dalin krah Greqisë së pafuqishme, siç e ai e ka karakterizuar.
Rexhep Tajip Erdogan, Presidenti i Turqisë: Vendosja përpara nesh e një vendi për të realizuar ëndrrat e fshehta të dikujt tjetër është padrejtësi. Ky vend ka vazhduar ekzistencën e tij duke u fshehur pas dikujt, gjatë gjithë historisë. Le të mbarojmë me këtë lojë hijesh. Po behet qesharake vendosja e një vendi që s’bën prokopi as për veten e tij, para Turqisë së fuqishme.
Ndërkohë përsëri Parisi i ka dale në krah Athinës dhe ministri i Jashtëm francez ka deklaruar se përgjigjja ndaj një politike të paarsyeshme dhe ofensive do të duhet të jetë nga ana e gjithë komunitetit europian pasi kërcënohen sovraniteti dhe interesat e BE.
Para disa orësh është nisur me drejtim të paditur drejt Mesdheut Lindor aeroplanmbajtësja gjigante Carles De Goelle e shoqëruar me numër të panjohur anijesh dhe nëndetësesh të flotës franceze.
Aleksandër Marku
Top Channel