Ministria e Shëndetësisë: Maska e detyrueshme në shkolla, dhe për nxënësit e ciklit të lartë 9-vjeçar

01/09/2020 16:43

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoi sot se maska është e detyrueshme edhe në shkolla, për mësuesit, të gjithë personelin si dhe nxënësit e ciklit të lartë 9-vjecar.

Ndërkohë për nxënësit e ciklit të ulët maska në klasë është e rekomandueshme ndërsa është e detyrueshme në të gjitha ambientet e tjera të shkollës.

Ministria e Shëndetësisë i rikujton qytetarëve detyrimin për zbatimin e karantinës në rast se jeni të prekur nga COVID19.

Ndërkohë më herët sot kryeministri Rama foli për vitin e ri shkollor, duke dhënë detaje se si do të zhvillohet në kushtet e pandemisë së koronavirusit. Ndarje deri në tre turne dhe zbatim i përpiktë i udhëzuesit anti-COVID-19 të përgatitura nga qeveria, tha Rama.

Viti i ri shkollor do të zhvillohet edhe me tre turne. Për klasat me shumë nxënës do të aplikohen orë 30 minutëshe, ndërsa rregullat e përcaktuara nga autoritetet duhet të zbatohen me përpikëri, paralajmëroi kryeministri Edi Rama duke folur për për vitin e ri shkollor që vjen në një situatë të jashtëzakonshme për shkak te pandemisë së COVID-19.

“Shkollat do të funksionojnë me 1 dy apo deri në 3 turne. 1097 shkolla kanë një turn, 479 shkolla kanë 2 turne dhe 183 shkolla kanë 3 nënturne. për shkollat me numrin të madh nxënësish mësimi do zhvillohet me turne dhe orë 30 minutëshe. Në klasa duhet të respektohen rregullat dhe s’duhet të ketë më shumë se 20 nxënës”.

Kryeministri Rama tha se ministria e Arsimit ka vënë në dispozicionin një udhëzues të detajuar ne funksion te vitit të ri shkollor 2020-2021, i cili sipas kreut të qeverisë duhet zbatuar tërësisht nga autoritetet përgjegjëse të arsimit në Shqipëri.

Top Channel