Kosovë / Fillimi i mësimit, shkollat me dhoma të veçanta për nxënësit me simptoma

01/09/2020 14:15

Ditë më parë, Ministria e Arsimit, pas takimit me institucionet e tjera shëndetësore, mori vendim që viti shkollor 2020/2021 të fillojë më 14 shtator 2020.

Shtyrja e fillimit të vitit shkollor u bë me qëllim të sigurimit të kushteve të sigurta për fëmijët, mësimdhënësit dhe prindërit. Po ashtu, kjo do të sigurojë një mobilizim më të madh të përgjithshëm në përballje me pandeminë në Kosovë.

Shkollat në kryeqytet tashmë janë përgatitur për vitin e ri shkollor sipas udhëzuesve të Ministrisë së Arsimit.

Në ambientet e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Faik Konica” në Prishtinë, janë vendosur sinjalizues, të cilët do t’ju rikujtojnë nxënësve që të mbajnë distancën dhe higjienën.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Jehona Oruqi, tha për KosovaPress se edhe ambientet e kësaj shkolle janë dezinfektuar si dhe është bërë organizimi i ri i orarit në të cilën klasat do të ndahen në grupe në mënyrë që të mos ketë shumë nxënës njëkohësisht në klasa.

Oruqi: Kemi dezinfektuar hapësirat dhe është përpiluar orari i ri

“Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet, duke filluar nga shenjëzimi i oborrit të shkollës, në mënyrë që të mbajmë distancën e nxënësve, pastaj kemi përpiluar orarin, gjithashtu kemi ndarë edhe grupet e klasave të cilat do të vijojnë me ditë dhe me javë. Shkolla është e dezinfektuar në tërësi, po ashtu janë vendosur edhe posterë vetëdijesues”, deklaroi Oruqi.

Nëse një nxënës shfaqet me simptoma, atëherë ai do të ndahet nga grupi i tjetër i nxënësve dhe do të mbahet derisa të vijnë prindërit e tij në një dhomë tjetër.

Oruqi thotë se shkolla “Faik Konica” tashmë e ka krijuar këtë dhomën e veçantë, ndërsa ka një protokoll që do të ndiqet edhe për nxënësit e tjerë të cilët kanë pasur kontakt me një nxënës të dyshuar si i infektuar.

Oruqi: Kemi krijuar “task forcë”

“Ne kemi krijuar edhe ‘task forcën’ brenda shkollës, gjithashtu kemi edhe kthinën (dhomë e veçantë) brenda, ku nxënësit të cilët janë potencial do t’i izolojmë aty derisa të vijë prindi që t’i tërheq. Ndërsa nëse ndodh që gjatë procesit mësimorë kemi ndonjë nxënës i cili do të jetë me COVID-19, atëherë do të procedojmë sipas protokollit ashtu siç është e paraparë, që ndoshta ndodh që grupi shkon në izolim për disa ditë derisa të përcillen apo bëhen edhe testet”, thotë Oruqi.

Përgatitjet për vitin e ri shkollor janë bërë edhe në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Naim Frashëri”.

Drejtoresha e këtij institucioni, Shqipe Vllasaliu, tha për KosovaPress se, në kuadër të përgatitjeve kanë caktuar edhe disa mësimdhënës të cilët do t’i ofrojnë nxënësve ndihmën e parë, në rast të paraqitjes së ndonjë simptome.

Vllasaliu: Kemi caktuar mësimdhënës që do të japin ndihmën e parë

“Është dezinfektuar komplet shkolla, është ndarë një dhomë që në rast nevoje nëse fëmija ka ndonjë simptoma, janë caktuar mësimdhënësit të cilët kryesisht i kemi përzgjedh ata që kanë kryer ndonjë shkollë të mesme të infermierisë, me kutin e ndihmës së parë ata do t’i ndërmarrin masat derisa ne të lajmërojmë prindërit… Po ashtu i kemi vendosur posterë nëpër hyrje, dyer të klasave ku fëmijët duke i parë e duke i lexuar, do të edukohen për ta ruajtur vetën”, thotë Vllasaliu.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka paraparë fillimin e vitit të ri shkollor sipas tre skenarëve, ku skenari A përfshin mësimin me prezencë në institucionet shkollore me masat parandaluese, skenari B nënkupton rikthimin e pjesshëm me mësim të kombinuar-prezencë dhe mësim në distancë dhe skenari C mësimi në distancë./Q.Rexhaj/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA