Në Kosovë, ka shpresa të mëdha për takimin e Washingtonit. Kryeministri Avdullah Hoti e bëri të qartë se qëllimi i vetëm i Prishtinës në kuadër të dialogut është njohja reciproke.
Delegacioni i Kosovës që kryesohet nga kryeministri Avdullah Hoti ndodhet në Uashington me ftesë të Shtëpisë së Bardhë, takim ky i organizuar nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien dhe i ngarkuari special i presidentit Trump në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Në takimin në Shtëpinë e Bardhë në 4 shtator diskutohet për çështjet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa çështjet politike thuhet, se diskutohen në Bruksel. Sipas Hotit, pala kosovare është e përgatitur për këtë takim që e cilëson të një rëndësie të lartë shtetërore.
“Vetëm njohja reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë i normalizon marrëdhëniet në mes të dy vendeve dhe e qetëson këtë pjesë të Ballkanit dhe Europës. Në çfarëdo takimi që kam pasur dhe do të kem me përfaqësuesit e Serbisë, njohja reciproke është tema e vetme. Çdo gjë që bisedohet me ta është në funksion të arritjes së marrëveshjes për njohje reciproke, pa cënuar integritetin teritorial apo karakterin unitar të shtetit të Kosovës. Kosova mbetet e përkushtuar për dialog, sepse është vend evropian, me orientim të qartë euro-atlantik”, ka shkruar kryeministri Ii Kosovës në profilin e tij.Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, (PDK) dhe lëvizja Vetëvendosja, nuk kanë pranuar t’i bashkohen delegacionit.
Top Channel