Dhoma e Përfaqësuesve, fletëthirrje për drejtorin e Shërbimit Postar mbi vonesat

01/09/2020 04:41

Komisioni për Mbikëqyrje dhe Reformë i Dhomës së Përfaqësuesve ka në plan t’i dërgojë një fletëthirrje drejtuesit të Shërbimit Postar, Louis DeJoy për dorëzimin e dokumenteve në lidhje me ndërprerjet në operacionet e dërgesave të postës që tani janë thelbësore lidhur me aftësinë saj për të përballuar fluksin e votimit me postë që pritet të rritet në zgjedhjet e nëntorit.

Ligjvënësja demokrate nga Nju Jorku, Carolyn Maloney, kryetare e komisionit, dërgoi një memorandum të hënën në të cilin thuhet se DeJoy nuk respektoi afatin e javës së kaluar për t’iu përgjigjur plotësisht kërkesës së komisionit për më shumë informacion. Ai nuk ka siguruar ndonjë material të ri, tha ajo. “Është e qartë se dërgimi i një fletëthirrjeje është bërë i nevojshëm për të vazhduar më tej hetimin e komisionit dhe për të ndihmuar në informimin mbi veprimet e mundshme legjislative”, tha ajo.

Demokratët po ndjekin në mënyrë agresive çështjen e mbikëqyrjes së operacioneve të postës pasi Presidenti Donald Trump kritikoi votimin me postë. Presidenti Trump sugjeroi sedonte të pakësonte fondet për Shërbimin Postar për ta bërë më të vështirë përballjen e valës së pritur të votimit me postë në nëntor. DeJoy, i cili u emërua në postin e drejtorit të agjencisë në qershor, filloi me shpejtësi ndryshimet në një kohë kur agjencia po ngarkohej tashmë nga kriza e koronavirusit. Raportet për vonesa u shtuan shpejt.

Komunitetet në të gjithë vendin u ankuan për çrregullime të përhapura në operacionet postare këtë verë, pasi kutitë e mbledhjes së postës dhe pajisjet e klasifikimit të saj u hoqën, dhe punonjësit thanë se ndryshimet në operacionet e kamionëve dhe të pagesave për punë jashtë orarit normal të punës çuan në grumbullimin e dërgesave në pikat e shpërndarjes dhe mosdërgimin e tyre. Komisioni publikoi të dhëna të brendshme të shërbimit postar që tregonin çrregullime të përhapura të shërbimit gjatë verës. Zoti DeJoy, i cili dëshmoi para komisionit në fillim të gushtit, përsëriti në një letër të premten e kaluar se ndryshimet që ai kishte nisur tani janë pezulluar “deri pas përfundimit të zgjedhjeve”.

Komisioni po kërkon dokumente në lidhje me ndryshimet, duke përfshirë heqjen e pajisjeve të klasifikimit të postës dhe ndryshimet në rregullat e punës jashtë orarit normal, të cilat mund të pengojnë realizimin e dërgesave. Paneli gjithashtu dëshiron informacione në lidhje me mënyrën se si zoti DeJoy, i cili nuk kishte përvojë të mëparshme postare, u zgjodh në krye të Sherbimit Postar, si dhe çdo “komunikim të pazbuluar më parë midis zoti DeJoy dhe fushatës Trump”. Zoti DeJoy në letrën e tij të premten drejtuar Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për mbikëqyrje dhe reformë tha se ekipi udhëheqës i postës ka zgjeruar një ekip pune për të punuar me zyrtarë lokalë të zgjedhjeve për t’u siguruar që fletëvotimet për zgjedhjet e nëntorit të bëhen “në mënyrë të sigurt dhe në kohë”.

Zoti DeJoy gjithashtu tha se personeli i tij po punonte me komisionin për të siguruar materialet që janë kërkuar. “Kongresi duhet të intensifikojë punën e vet”, tha ligjvënësi Connolly. “Publiku e kërkon këtë. Veprimi i sotëm është një hap i domosdoshëm në përpjekjet tona për ta mbajtur administratën Trump përgjegjëse për sabotimin e saj të qëllimshëm të Shërbimit Postar, dhe për të rivendosur besimin në këtë institucion të respektuar amerikan.”

Por republikani më i lartë në komisionin e mbikëqyrjes, ligjvënësi James Comer nga Kentaki, e quajti vendimin për t’i dërguar fletëthirrje zotit DeJoy pjesë të një prirjeje nga demokratët “për të promovuar një teori konspirative të pabazuar në lidhje me Shërbimin Postar”. Ligjvënësi Comer e quajti fletëthirrjen “tepër të gjerë” dhe tha se demokratët duhet të punojnë me Shërbimin Postar dhe republikanët “për të trajtuar shqetësimet e tyre”./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA