Vrasje, drogë dhe organizatë kriminale/ OFL-ja “godet” sërish, këta 3 persona duhet të justifikojnë burimin e pasurisë (EMRAT)

31/08/2020 12:00

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL-ja u ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë tre shtetasve.

Bëhet fjalë për Ndue Pepaj, banues në Malësi të Madhe, i dënuar për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale”, “Trafiku ndërkombëtar i narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo të veprimtarisë kriminale”; Endri Alibali, banues në Shkodër, i dënuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë” dhe Ali Kopliku, banues në Shkodër, i dënuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Top Channel