Nora Malajn e gjetëm teksa pushonte në Golem, pas me shumë se pesë javëve të vështira, ku qëndroi e izoluar në Tiranë, për shkak se kaloi Covidin në gjendje shëndetësore të moderuar pa pasur nevojë të shtrohet në spital.

Me forcën dhe energjinë që e karakterizon, fatmirësisht ia doli, por ajo tregon se të prekesh nga Covid-i përveç gjendjes shëndetësore është shumë e vështirë pasi ka disa kosto si financiare ashtu edhe psikologjike.

Nora Malaj: Shkon rreth 120 mijë lekë të reja, këtu futen analizat që janë të detyruara. Për tamponët dhe për analizat e gjakut duhet ta bësh para dhe pas. 120 mijë shkojnë para dhe 120 mijë pas. Duhet të bësh patjetër një skan që shkon 170 mijë, pastaj duhet të marrësh medikamente rreth 300 mijë.

Por në fakt të nevojitet një infermier për serume kur është e nevojshme, dikush që të bën furnizim me ushqime pa llogaritur këtu të ardhurat që humb, pasi për një periudhë të gjatë nuk paraqitesh në punë.

Nora Malaj: Mund të kesh nevojë edhe për serume që do të vijë edhe një infermiere, dhe përveç serumeve që do blesh ti do paguash edhe atë infermieren. Minimalisht do të shkojë për 20 ditë 20 mijë lekë të reja. Pjesa tjetër që lidhet me ushqimin, që ti domosdoshmërish të marrësh lëngje sepse humbet shumë lëngje trupi, minimalisht të marrësh supën që të paktën duhet të jetë me lëngë mishi.

Pasojat vijojnë edhe pasi tamponi i fundit rezulton negativ. Pasi që nga momenti kur mëson se je prekur nga koronavirusi, frika është ajo që të mundon gjithë kohës. Por Nora Malaj ka një thirrje për instancat shtetërore për t’iu gjendur pranë të gjithë atyre që kalojnë Covidin.

Nora Malaj: Ankthi, ataku, paniku, padija, paparja se si realizohet sëmundja dhe sesi shfaqet e plotë ajo duhet patjetër që të ketë asistencë infermierore, psikologjike dhe asistencë në drejtim të shërbimeve të nevojshme të qytetarëve. Në kohën kur je e sëmurë nuk je e aftë për të punuar. Të ndihmohen dhe të marrin listat nga ministria e Shëndetësisë dhe të japin bonuse të dedikuara për këtë kategori.

Top Channel