Drejtoresha për Shqipërinë e OBSh-së viziton spitalin Covid 2, pyet për menaxhimin e rasteve klinike

28/08/2020 11:48

Drejtoresha për Shqipërinë e OBSh-së,  Bettina Menne vizitoi të mërkurën Spitalin COVID2 – Spitali Universitar Shefqet Ndroqi Sanatorium -në Tiranë dhe pati një diskutim të thelluar me drejtorin e këtij spitali, Prof. Dr. Perlat Kapisyzi.

Menne u informua në hollësi mbi punën e spitalit, sfidat që stafi i tij përballon si edhe mbi nevojat që shtrohen.

Drejtori i Spitalit COVID2, Prof. Dr. Kapisyzi i shpjegoi përfaqësuesve të OBSh-së se si kjo njësi ja ka dalë të rrisë numrin e shtretërve, hapësirat e nevojshme, kapacitetet e shërbimit dhe stafin, tërësisht të dedikuar për rastet me COVID-19.

“Ne planifikojmë të rrisim sa më parë kapacitetet e njësisë së terapisë intensive” – tha Dr. Kapisyzi.

Drejtoresha për Shqipërinë e OBSh-së, Dr. Bettina Menne pyeti hollësisht për menaxhimin e rasteve klinike dhe të protokolleve të përdorura për pacientët. Në takim u diskutuan edhe nevojat për burime njerëzore, planet e kapërcimit të gjendjes, mundësitë për rritjen e kapaciteteve të testimit dhe pajisjeve të tjera diagnostike të disponueshme në spital.

Ekipi i OBSh-së vizitoi gjithashtu edhe pavionin e COVID-19 si dhe njësinë e terapisë intensive.

Top Channel