Në vitin 2019 në vendin tonë hynë rreth 12 mijë emigrant të paligjshëm, ku prej tyre aplikuan për azil 6557 persona, referuar të dhënave më të fundit që Instat ka bërë publike.

Pjesën më të madhe të azilkërkuesve e zënë emigrantët nga Iraku dhe Siria me rreth 62% të numri total, ndërsa më pas renditen Maroku, Algjeria, Pakistani dhe Afganistani.

Ajo çfarë vihet re në të dhënat e Instat, është se gratë dhe vajzat zënë rreth 80% të numrit total të aplikimeve për azil në vendin tonë.

Por së fundmi, burime nga drejtoria e kufirit dhe emigracionit bëjnë me dije për Top Channel, se kërkesat për azil për këtë vit kanë filluar të kenë një trend në rënie krahasuar me vitin e shkuar.

Gazetari ynë ishte së bashku me Azer, Aire dhe Alë, të cilët prej dy ditësh kanë ardhur në Tiranë. Ata nuk duan që të aplikojnë për azil këtu, por duan që të shkojnë drejt vendeve europiane aty ku kanë edhe të afërmit e tyre.

Arie është nga Siria dhe ajo tha se do që të shkojë në Gjermani të bashkëshorti i saj.

– Sa kohë do të qëndroni këtu në Shqipëri?

“Nuk e di të them të drejtën, pasi për momentin nuk kam shumë para. Pres që të më dërgojë disa bashkëshorti im nga Gjermania për të shkuar më pas tek ai. Nuk dua që të aplikoj fare për azil këtu në Shqipëri…edhe kur na ka ndaluar disa herë policia i kemi thënë që ju lutem na lini të shkojmë sepse nuk kemi ndërmend të qëndrojmë këtu, por duam që të shkojmë diku në Europë”.

Të njëjtën dëshirë për të mos aplikuar për azil në Shqipëri e ka edhe Hosama, i cili edhe ai është nga Siria.

“Nuk dua të qëndroj në Shqipëri miku im. Këtu njerëzit janë vërtetë të mirë, por është e vështirë për të gjetur punë dhe për të jetuar. Me duhet të shkoj në një vend Europian aty ku të mundem të takoj familjen time, pasi aktualisht jetojnë në Sudan. Kam 5 fëmijë dhe prej 6 vjetësh nuk i kam parë. Shpresoj që shumë shpejt të bashkohemi diku në Evropë”.

Ndërkaq, qendra pritëse e azilkërkuesve në Babrru, është në rikonstruksion dhe për këtë arsye, personat që qëndronin atje, Drejtoria e Azilit, i ka akomoduar në një tjetër ambient.

Andi Bora

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA