Qeveria britanike ka ndryshuar udhëzimet për mbajtjen e maskave në shkollë për fëmijët mbi 7 vjeç.
Në një deklaratë të sekretarit të arsimit, Gavin Williamson, tha se fëmijët e moshës 12 vjeç ose më sipër, por edhe të rriturit, duhet të mbajnë maska në shkollë në zonat e kuqe të Anglisë që përfshijnë qytetet e Leicesterit dhe Lutonit, por edhe në zonën e Mancesterit të madh.
Maskat do të kërkohen vetëm në korridore dhe në zonat e përbashkëta, ku distancimi social mund të jetë i vështirë të ruhet, por jo në klasa, ku masat mbrojtëse të marra bëjnë që rreziku të jetë më i ulët.
“Unë shpresoj se këto hapa do tu japin prindërve, nxënësve dhe mësuesve më shumë garanci”, tha Uilliamson. Masat do të hyjnë në fuqi më 1 shtator.
Ndryshimi i udhëzimeve vjen pas vendimit të organizatës botërore të shëndetësisë për të rekomanduar mbajtjen e maskave për fëmijët mbi moshën 12 vjeç, njësoj si të rriturit, veçanërisht nëse nuk mund të garantohet distanca prej të paktën 1 metri nga të tjerët dhe ka transmetime të zgjeruara në zonë.
Shkollat që nuk janë në zonat që konsiderohen të rrezikshme, sidoqoftë, do të kenë tagrin të vendosin vetë. Në Britaninë e Madhe, që ka edhe numrin më të lartë të viktimave të koronavirusit, shkollat në Skoci u hapën të parat, pasuar nga ato në Irlandën e Veriut. Ndërsa shkollat në Angli dhe Uells do të rihapen në shtator. Pas udhëzimeve të OBSH-së, qeveria skoceze konfirmoi se gjimnazistët duhej të mbanin maska në shkollë duke filluar nga e hëna.
Top Channel